Mobilizimi në ndihmë vëllezërve e motrave andej Drinit në Shqipëri, po merr përmasa të mëdha kudo në Kosovë.
Ngjashëm po veprohet edhe në Ferizaj. Dhjetëra të rinj të tifozerisë së qytetit, “Ujqit” e grupe të tjera qytetare janë mbledhur sonte në sheshin para Komunës me qëllim grumbullimin e veshmbathjeve dhe ushqimeve në ndihmë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë që këtë mëngjes u goditën nga tërmeti shkatërrimtar.
Të bashkuar rreth këtij qëllimi solidar, përfaqësuesit e tifozerisë “Ujqit” thanë se me këtë nismë sadopak synojnë të ndihmojnë rimëkëmbjen pas shkatërrimeve të evidentuara sot nga tërmeti që epiqendër pati Durrësin dhe zona tjera përreth, që për fatin e keq, pati edhe viktima e dëme të pariparueshme materiale.
Për t’i garantuar mbështetjen e tij dhe qeverisjes lokale në këtë nismë solidare, doli edhe Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorët komunal, i cili i siguroi këtij komuniteti dhe gjithë nismave të tilla komunitare, mbështetjen e pakursyer në ndihmë Republikës së Shqipërisë nga dëmet e tërmetit.
Nga kjo nismë kërkohet nga qytetarët e Ferizajt që të sjellin veshmbathje e ushqime që sadopak do të ndikonin në përballimin më të lehtë të gjithë kësaj situate.