“Shije nga Shqipëria” në teknikën e akuarelit sjellin në edicionin e dytë të festivalit ndërkombëtar të kësaj gjinie të pikturës, artistë të njohur nga India, Bullgaria e deri nga Kina e largët.
Tablotë e këtij edicioni i prezantojnë në ekspozitën e përbashkët që mbledh punimet e tyre, të realizuara në ditët e para të majit në kryeqytet.“Tirana këtë herë vjen e lagësht, sepse ditët e para të majit ishin me shi. Interesante është se si vjen me sytë e piktorëve nga Ukraina, Italia, Spanja e Kosova shija e Tiranës…”, shprehet piktori dhe kuratori Helidon Haliti.
40 mjeshtra të akuarelit prezantojnë në një kuadro gjigande në përmasat 10 m x 1.4 m, Tiranën herë kaotike e herë të pastër nga ana urbanistike, parë me sytë e piktorëve.
“Pjesa më interesante e ekspozitës është që në kemi një Tiranë panoramike. Janë 40 artistë që kanë kompozuar këtë kuadro shumica e tyre janë shumë të njohur në mediumin e akuarelit sot në botë. Është mirë që kjo vepër i mbetet Tiranës”, shton Haliti.
Pikturat me shije nga Shqipëria presin të vizitohen nga artdashësit deri në datën 28 korrik në MHK.