Titulli mund ta varrosë Bashkimin njëjtë si Pejën

Prishtinë | 14 Qer 2019 | 09:28 | Nga Ekonomia Online

Një prej klubeve më të mëdha të basketbollit në vend mund të përfundojë si një tjetër klub ikonik që kishte Kosova në të kaluarën.

Bashkimi i Prizrenit, kampioni i një viti më parë, është në krizë të thellë financiare. Dhe nëse gjërat nuk përmirësohen ndërkohë, Bashkimi mund të ketë fatin e klubit Peja, që nuk është pjesë e garave dhe që nuk ekziston tashmë, transmeton Koha Ditore.

Kryesia e Bashkimit ka lëshuar të enjten një komunikatë, ku është bërë e ditur se klubi ka borxh plot 200 mijë euro. Kryesia aktuale ka thënë se ky është një borxh i trashëguar dhe i mbledhur për shumë vite, por fillimi i edicionit të ri me borxh prej 200 mijë eurosh vlerësohet se nuk jep shumë mundësi për stabilitet.

Në korrik të vitit të kaluar ishte mbajtur një kuvend i Bashkimit dhe drejtuesit e mëhershëm, sipas komunikatës, kanë deklaruar se klubi ka obligime prej rreth 40 mijë euro. Më vonë u bë e ditur se obligimet e klubit vetëm ndaj bizneseve private ishin mbi 80 mijë euro.

Por më pas u kuptuan edhe borxhe të tjera ndaj lojtarëve e menaxherëve me të cilët ka bashkëpunuar Bashkimi, ndërsa goditja e radhës erdhi nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK)..

Të ngjashme