Avioni aterron në një vend brenda Azisë së Vogël. Perëndimi i diellit i jep ngjyrë pistës e zhurma e motorit mbetet në sfond të llafeve që ndërrojnë udhëtarët, tek ia mësyjnë Aeroportit të Kayserit. Shumica flasin turqisht. Imazhi i tyre i shkon për shtat atij të besimtarëve të devotshëm myslimanë.
Një orë rrugë me veturë e ndan aeroportin me regjionin historik të Anadollit Qendror. Cappadocia thuhet se ka marrë emrin sipas fjalës perse “katpatuka”, që do të thotë “toka a vendi i kuajve të bukur”.
Kuaj të bukur rriteshin e garonin në hipodromet romake në ato kohë antike. Në mesin e prillit të vitit 2018 përkon mirë me një vizitë në regjionin, që në një përshkrim letrar përkufizohet si “këngë e krijuar nga shiu e era, natyra e historia”, shkruan sot Koha Ditore.
Cappadocia s’është veç këngë. Është toka e qendrave të krishterimit – që u kanë mbijetuar shekujve të ndërfutur thellë nëpër prerje shkëmbore – oxhaqeve të zanave, vreshtave të Pashës, zanatit të poçarisë e qilimave shumëngjyrësh, fluturimit me ballonë, a besëtytnisë së “mësyshit” të syrit të kaltër. Është dëshmia më e mirë se malet që dikur kishin thyer heshtjen duke shkundur flakë pa mëshirë e duke ngjallur frikën në tokë, në fund të fundit, krijuan bukuri përrallore rreth tyre. Një mrekulli që ka marrë emrin Cappadocia.