Tolaj përkrah kërkesat e qumështarëve, kërkon nga ministri i Bujqësisë ta ndalojë përdorimin e vajit të palmës

Prishtinë | 05 Tet 2020 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Arbër Tolaj, bashkë me shefin e Grupit Parlamentar, Daut Haradinaj dhe deputetin tjetër, Gazmend Syla, kanë pritur sot në një takim përfaqësuesit e qumështarëve të Kosovës.

Tolaj ka thënë se kanë diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohen qumështarët si pasojë e lejimit të përdorimit të produktit yndyror të vajit të Palmës.

“Vaji i Palmës vazhdon të jetë i ndaluar në Bashkimin Evropian, por për çudi në vendin tonë vazhdon të lejohet të përdoret në produktet ushqimore. Ministri i Bujqësisë me një vendim pati ndaluar përdorimin e këtij produkti, për ta shfuqizuar pastaj brenda një kohe të shkurtër. Me këtë vendim atakohen direkt qumështarët, si një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë sonë”, ka shkruar Tolaj në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet t’I trajtojë kërkesat e qumështarëve dhe të rishikohet vendimi dhe gjithashtu të sigurohet se marrëveshja e CEFTA-s është duke u respektuar edhe nga vendet fqinje.

“Qeveria e Kosovës urgjentisht t’i trajtojë kërkesat e këtyre qumështarëve dhe të rishikohet ky vendim e gjithashtu të sigurohet se marrëveshja e Cefta-s është duke u respektuar edhe nga shtetet fqinje, në mënyrë që prodhuesi vendor të mos diskriminohet. Qeveria e Kosovës dhe Ministri i Bujqësisë do ta ketë mbështetjen tonë në zgjidhjen e kërkesave të qumshtarëve. Një gjë është e sigurtë, qumështi i Kosovës për nga cilësia është më i miri në rajon”, është shprehur deputeti Tolaj.

https://www.facebook.com/102960761081375/posts/373263424051106/?extid=0&d=n

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme