Tolaj për masat e reja: Vendim politik, s’ka kapacitet për një valë të re të Covid-19

Prishtinë | 07 Pri 2021 | 10:48 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Të ngutshëm dhe politik po e vlerëson vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave të reja anti-Covid, infektologu Ilir Tolaj.

Tolaj në një intervistë për Ekonomia Online tha se Qeveria e re marri vendim për vendosjen e masave shtesë pa një analizë të mirëfilltë epidemiologjike dhe mjekësore.

Sipas tij, mbylljet  e këtilla nuk kanë ndonjë ndikim në ecurinë e pandemisë, madje ai thekson fushata zgjedhore ka ndikuar në prishjen e ekuilibrit.

“Masat të cilat në vete ngërthejnë edhe mbylljen të këtij tipi çfarë kemi ne tash, bëhen gjithmonë për një arsye të vetme e ato janë për të zvogëluar numrin sepse domosdo do ndikojnë në uljen e rasteve të reja dhe rrjedhimisht me këtë për ta kursyer sistemin shëndetësor nga rastet e shumta të cilat nuk munden me i përballë. Por mbylljet  e këtilla dhe masat e këtilla nuk kanë ndonjë ndikim në ecurinë e pandemisë në aspektin afatgjatë, në moment kur masat tërhiqen dhe ato lirohen atëherë kur komunikimi i njerëzve me jetën normale atëherë domosdo që do të shtohen sërish numrat”, tha Tolaj.

“Lidhur me momentin e ndërmarrjes së këtyre masave vlerësoj të ngutshëm dhe si një veprim më shumë politik sesa i bazuar në një analizë të mirëfilltë epidemiologjike dhe mjekësore, pasi ne edhe ashtu disa ditë para marrjes së masave kishim një rënie të numrit të rasteve. Do ishte më e arsyeshme sikur autoritetet shëndetësore edhe ato politike të kishin pritur edhe disa ditë për të parë se ky trend i rasteve apo vazhdon apo jo, në rast që do kishte vazhduar atëherë këto masa ishte dashur të kenë një formë krejtësisht tjetër. Ne ishim dëshmitar që fushata zgjedhore e prishi këtë ekuilibër të ecurisë së pandemisë dhe më pastaj ishin edhe mospërfillja ekstreme e kafiterive sidomos në orët e vona të natës”, theksoi tutje ai.

Tutje infektologu Tolaj thekson se në rast se vendi përballet me një valë të re të virusit, kapacitet spitalore nuk  do të mund ta përballonin.

“Numri aktual i rasteve të reja dhe atyre të hospitalizuar është i nivelit që është i përballueshëm për sistemin shëndetësor, por problem do ishte nëse do ballafaqoheshim me një valë të re ose nëse kjo valë nuk do përfundojë dhe do ketë rritje të rasteve. E vlerësoj që ky sistem shëndetësor sado i mangët të jetë, do jetë në gjendje të përballet me këtë periudhë të pandemisë, por vlerësoj që ka mundur të punohet më mirë”, tha ai.

Ai thotë se Kosova e ka kaluar me sukses menaxhimin e pandemisë dhe se merita i takon qytetarëve, po që edhe kjo ka ardhur për shkak të moshës së re të popullatës, raporton EO.

“Ne jemi në valën e tretë të pandemisë dhe si duket nëse ky trend i rënies së numrave të rasteve të reja do të bie, atëherë jemi diku në rënie të valës së tretë, gjë që është mirë. Ne për disa ditë me radhë kemi zvogëlim të numrit të rasteve të reja, pavarësisht që numri i vdekjeve herë është më i madh e herë më i vogël por vdekjet kryesisht asnjëherë nuk mund ta vlerësojmë ecurinë e pandemisë”, u shpreh tutje Tolaj.

“Në përgjithësi  nëse e analizojmë që nga fillimet e deri tash e vlerësoj që Kosova  e ka kaluar relativisht lehtë pandeminë, që kemi një numër me siguri shumëfishë më të madh të rasteve të cilat janë infektuar sesa këto që janë zyrtare, por që kemi një numër të vogël relativisht të vogël të rasteve që kanë përfunduar mirë, dhe është mirë për të gjithë ne”.

“Merita kryesore i takon popullit të këtij vendi, i cili është shumë i ri dhe rrjedhimisht me këtë e ka përballuar shumë më lehtë sesa vendet e tjera ku mosha e popullatës është shumë më e moshuar”, deklaroi ai.

LEXONI EDHE:

https://ekonomiaonline.com/nacionale/hyjne-ne-fuqi-masat-e-reja-gastronomet-kunder-paralajmerojne-protesta-pas-18-prillit/

Të ngjashme