Deputeti i AAK-së, Arbër Tolaj, ka ngritur shqetësimin e tij për mospagimin e tri pagave jubilare dhe tri pagat pas pensionimit të punëtorëve shëndetësorë.
Tolaj e ka pyetur ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, se a është paraparë buxhet shtesë, që parashihet edhe sipas kontratës kolektive, për këtë qëllim.
“Pagat jubilare. Tri pagat jubilare. Tri pagat pas pensionimit të punëtoreve shëndetësorë. A keni pa mjete shtesë që i parasheh kontrata kolektive e shëndetësisë?”, ka pyetur Tolaj.
Tolaj, i cili edhe vet është punëtor shëndetësor si specialist në QKUK, ka sqaruar se punëtorët shëndetësorë detyrohet që mjetet që u takojnë me ligj, detyrohen t’i marrin nëpërmjet rrugëve ligjore, duke krijuar shpenzime të panevojshme.
“Të gjithë punëtorët shëndetësorë që i plotësojnë kriteret që njihen nëpërmes kontratës kolektive sektoriale shëndetësore, janë të detyruar aktualisht që nëpërmjet gjyqit ta realizojnë këtë të drejtë. Kështu po krijohen shpenzime në vlerë të kamatës 8%”, ka thënë Tolaj.
Në përgjigjen e tij, ministri Zemaj tha se është i njohur me këtë problematikë.
Ai ka sqaruar se ka pasur mungesë të buxhetit për këtë qëllim për vite me radhë.
Me rishikimin e buxhetit që pritet të bëhet së shpejti, ai ka thënë se ka kërkuar buxhet shtesë nga Minsitria e Financave prej 11 milionë eurosh. Këtë problematikë, ka thënë ai, e ka diskutuar edhe me departamentin ligjor të ministrisë që e udhëheqë.