Nuk ka shumë 18-vjeçar, të cilët kanë luajtur rolin kryesor në promovimin e ekipit të tyre në njërën prej pesë ligave më të forta të Evropës. Por një prej tyre është i veçantë.
Përderisa në moshë të re e udhëhiqte ekipin drejt promovimit në elitë, ai vazhdimisht ftohej edhe në grumbullimet e Përfaqësueses A. Ky djalosh që tërhoqi vëmendje të madhe edicionin e shkuar dhe të njëjtën gjë po e bën edhe këtë edicion, është mesfushori i Brescias, Sandro Tonali. Ai me vetëm 18 vjet i siguroi Brescias kthimin në Serie A pas një pritjeje të gjatë dhe ishte pjesë e Përfaqësueses së Italisë ani pse luante në Serie B, shkruan sot Koha Ditore.
“Ishte një çmenduri e vërtetë, nganjëherë më duket se nuk isha normal për shkak se tërë energjia ime shpenzohej për ta ndihmuar Brescian për t’u kthyer në Serie A”, pranon Tonali, i cili tani është 19-vjeçar. “Edhe këtë edicion po luaj ngjashëm sikurse edicionin e kaluar. Loja ime nuk ka ndryshuar, por thjesht gjithmonë mundohem të kryej detyrat me përgjegjësi dhe të jap më të mirën për ekipin”.
Pavarësisht se kërkohej nga skuadrat më të njohura në Serie A dhe Premier League, Tonali u rezistoi ofertave dhe nuk u largua nga Brescia as në janar e as në verën e këtij viti. Në vend se të shkonte te ndonjë ekip tjetër, Tonali vendosi të qëndrojë te Brescia ku luan prej moshës 12-vjeçare. Pasi e ka ndihmuar ekipin të kthehet në Serie A, ai ka një synim tjetër, ta stabilizojë në elitë.