Agjenti Canovi: Juventusi dëshiron Pogban dhe Tonalin

Prishtinë | 16 Pri 2020 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Agjenti i njohur Alessandro Canovi ka thënë se Juventusi do të jetë i gatshëm të garojë për transferimin e mesfushorit të Manchester Unitedit, Paul Pogba dhe atij të Brescias, Sandro Tonali.

Juventusi është i interesuar të përforcojë ekipin edhe më tutje në kërkim të triumfit në garën më të madhe ekipore evropiane, Ligën e Kampionëve.

Ylli i Unitedit, Pogba dhe talenti italian i Brescias, Tonali janë dy lojtarët e preferuar të Zonjës së Vjetër, e cila është gati të garojë për shërbimet e tyre.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar agjenti i njohur, Alessandro Canovi.

“Pogba? Francezi ka një vlerësim të rëndësishëm ekonomik. Për të zbutur shpenzimin e parave, Juventusi me siguri do të duhet të bëjë disa shitje”, ka thënë fillimisht Canovi për Calcio Today.

“Hipoteza e kthimit përkrahet edhe nga agjenti i Pogbas, Mino Raiola, i afërt me klubin e Juventusit. Padyshim që do të jetë një sfidë kundër Real Madridit”.

“Për Tonalin do të jetë një derbi gjithë-italian me Interin. Juve është gati për ta transferuar lojtarin e Brescias”, përfundoi agjenti i njohur. /Telegrafi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme