Importuesit e derivateve janë edhe tatimpaguesit më të mëdhenj në ekonominë e Kosovës. Vetëm njëri prej tyre gjatë vitit ka paguar mbi 100 milionë euro taksa dhe tatime në arkën e shtetit, në emër të tatimit mbi vlerën e shtuar, akcizën dhe taksat tjera përcjellëse ndaj shtetit.
Mirëpo edhe këtë vit, listës së top 5 importuesve të derivateve dhe produkteve tjera të ngjashme i prin korporata HIB Petrol me rreth 188 mijë ton. Është pikërisht HIB, tatimpaguesi më i madh i vitit 2018 me 100 milionë euro tatim të paguar, ose 25 milionë më shumë sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
“Ky ka qenë një vit i rëndësishëm në industrinë tonë, sepse me rritjen e kërkesës dhe nevojës për derivate, është rritur edhe sasia e importuar por me këtë janë rritur ndjeshëm edhe pagesat që ne si importuesi kryesor në vend e kemi bërë ndaj doganës dhe autoriteteve tjera tatimore. Për dallim prej vitit paraprak, vetëm ne si HIB kemi paguar 25 milionë euro më shumë tatim ndaj shtetit, ose rreth 100 milionë euro në total për 2018” ka thënë Hysen Lajqi, drejtor ekzekutiv në HIB Petrol.
Pas HIB, i dyti është Al Petrol me rreth 100 mijë ton më pak në import të derivateve, ose mbi 86 mijë ton derivate të importuara përgjatë vitit 2018. Në pozitën e tretë është Ex Fis me 78.4 mijë ton, i përcjell nga Lab Oil me 62.7 mijë ton derivate të importuara në tregun tonë.
I fundit në top pesëshen e listës së importuesve më të mëdhenj të vitit është IP Petrol me 39.4 mijë ton derivate të importuara në 2018.
Duhet thënë se shitjet e sasisë së derivateve nga top 5 importuesit e vitit janë bërë edhe nga shitjet me shumicë në treg, por edhe nga shitjet me pakicë nëpër pikat e derivateve të shtrira në shumë lokacione gjithandej vendit tonë.