Krahas presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, prokurorët e Specialës thuhet se kanë mbledhur prova edhe për tre të akuzuar potencialë, shkruan të martën “Top Channel”, duke u bazuar në një dosje 260-faqëshe.
Kjo dosje, është marrë nga një burim në prokurorinë speciale në Hagë.
Lexojeni të plotë “Dosjen e Hagës” nga Top Channel.
“Kjo dosje është baza e ndërtimit të aktakuzës nga prokurori special”, sipas këtij burimi.
Publikimi i kësaj dosjeve përkon me pranimin nga OVL e UÇK-së, për herë të tretë, të dosjeve të Speciales.
Në një konferencë për media, kreu i saj, Hysni Gucati ka thënë se në dokumentet e pranuara ka figura të ndryshme të përmendura, “për të cilat ne s’jemi të autorizuar t’i përmendim”.
Sipas tij, në dokumentet e reja flitet për ngritje të aktakuzave.
Nënkryetari Nasim Haradinaj, ka thënë se në dokumente është një draft-aktakuzë për ish-figura udhëheqëse të UÇK-së.