Totaj thotë se do të kërkojë përgjegjësi dhe llogaridhënie për votat në Prizren

Prishtinë | 19 Jan 2026 | 10:49 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prizrenit nga radhët e PDK-së ka shprehur zhgënjimin e tij për parregullsitë e evidentuara gjatë procesit të votave edhe në këtë komunë, për çka thotë se si kryetar i degës së PDK-së në Prizren do të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie.

“Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me parregullsitë e evidentuara nga procesi i rinumërimit të votave në Prizren. Çdo tentim për tjetërësim të votës është cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit të lirë të qytetarëve, i demokracisë zgjedhore dhe i vetë demokracisë së brendshme partiake. Si kryetar i degës së PDK-së në Prizren do të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë, sepse çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona”, ka shkruar Totaj.

Ai thotë se këto parregullsi të shfaqura, kërkojnë edhe një rivlerësim të tërësishëm nga KQZ-ja.

“Siguroj qytetarët se Partia Demokratike e Kosovës di dhe do ta mbrojë vullnetin e votuesit dhe demokracinë në Kosovë, duke vepruar si gjithmonë me vendosmëri dhe përgjegjësi për të mirën e vendit dhe të ardhmes së tij. Parregullsitë e shfaqura tek të gjitha partitë, diku me shume e diku më pak, kërkojnë edhe një rivlerësim të tërësishëm nga KQZ-ja dhe institucionet përkatëse të procesit të numërimit dhe menaxhimit të kujdesshëm që të ruhet deri në fund mbaravajtja dhe paprekshmëria e zgjedhjeve”, ka shkruar Totaj në reagimin e tij.

Të ngjashme