Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me nënkryetarin Kujtim Gashi, kanë vizituar vendin e ngjarjes ku në natën e ndërrimit te moteve ndodhi një incident i rëndë me mjete piroteknike në rrugën “Ahmet Prishtina”. Ky incident ka shkaktuar plagosjen e një personi dhe dëmtime në disa lokale afariste dhe banesa përreth, duke rrezikuar sigurinë dhe pronën e qytetarëve të Prizrenit.
Kryetari Totaj shprehu shqetësimin për ngjarjen dhe theksoi rëndësinë e kujdesit dhe përgjegjshmërisë nga qytetarët.
Totaj u shpreh se Komuna e Prizrenit do të bëjë gjithçka është në mundësitë e saj për të ndihmuar ata që kanë pësuar dëme materiale.
Kryetari falënderoi organet e rendit dhe zjarrfikësit për ndërhyrjen e shpejtë dhe u angazhua për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve të Prizrenit. Ai përfundoi thirrjen për kujdes dhe respekt më të madh në vitin që sapo ka filluar.