Kandidati për Kryetar të Prizrenit nga radhët e PDK-së Shaqir Totaj, të premten i shoqëruar nga përfaqësues të Shtabit Zgjedhor kanë vizituar Teqen Halvetive në Prizren. Gjatë kësaj vizite në këtë tempull të besimit, është diskutuar me prijësin e kësaj teqeje Sheh Abedin Shehun dhe me myhybët e kësaj teqeje për perspektivën e qytet të Prizrenit.
Gjatë bashkëbisedimit të përzemërt u tha se tarikatet janë vlera të shtuara të qytetërimit modern të Prizrenit historik, që në fakt kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e lavdishme të Prizrenit.
“Tarikatet dhe besimtarët e tarikateve ashtu siç kanë ditur të rreshtohen në ngjarjet më të lavdishme të historisë sonë kombëtare, siç është Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ashtu do të dinë të rreshtohen edhe sot, kur qyteti ka nevojë të vazhdojë frymën e tolerancës fetare, që është kulturë civilizuese e njerëzimit, që mund të marrin shembull edhe të tjerët.”
Ndërkaq, kandidati për kryetar, Shaqir Totaj, duke falënderuar ngrohtësisht për pritjen e përzemërt Sheh Abedin Shehun, ka shtuar se “Prizreni është edhe qytet i trashëgimisë shpirtërore, pjesë e së cilës trashëgimi është edhe Teqeja e Halvetive, që ka kontribuar gjatë gjithë historisë së qytetit. Është detyrë e obligim i secilit të zhvillojmë edhe më shumë harmoninë ndërmjet nesh, sepse vetëm me harmoni mund të arrijmë ato që synojmë. Në mandatin tim, të qeverisjes së Prizrenit do të zhvillohet edhe më shumë harmonia ndërfetare si dhe do t’i japim rënësi besimit shpirtëror të qytetarëve. Njeriu ashtu siç nuk mundet të jetojë mirë pa një ekonomi të zhvilluar, nuk mund të jetojë qetë edhe pa një mishërim shpirtëror.”
Më pas përfaqësuesi i Teqes së Halvetive, ka falënderuar kryetarin e ardhshëm të Komunës së Prizrenit për vizitë, i bindur se këto vizita do të vazhdojnë edhe pas fitores së tij, sepse ai beson në programin shumëdimensional të PDK-së dhe të kandidatit Totaj.