Totozani: Kryerja e reformës në drejtësi është e pandalshme

Prishtinë | 24 Mar 2017 | 15:56 | Nga

Avokati i Popullit, Igli Totozani thotë në intervistë me DW se kryerja e reformës në drejtësi është një proces që nuk mund të ndalet. Kërkesa për të është skalitur në kushtetutë.

DW: Institucioni i Avokatit të Popullit po mbështet Parlamentin në procesin e aplikimeve për strukturat e Vettingut. Cilat janë këto struktura, çfarë roli do të luajnë?

Igli Totozani: Janë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe 2 komisionerë publikë. Ngritja e tyre synon që vlerësimi kalimtar i aftësive profesionale dhe integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të jetë efikas dhe të sigurohet njëherazi edhe mbrojtja e të drejtave të tyre. Them kalimtar pasi procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do të jetë i përhershëm. Institucioni i Avokatit të Popullit shpalli thirrjen për shprehje interesi që të aplikojnë qytetarët që kanë interes të jenë në këto struktura. Kanë aplikuar 193 vetë për 27 vende, në strukturat e Vettingut. Ne kemi verifikuar dokumentat e aplikantëve,nëse ata i plotësojnë ose jo kriteret dhe nëse kanë sjelle të gjitha dokumentat e duhura.

Verifikimi i kryer nën monitorimin dhe në konsultim me Misionin Ndërkombëtar të Monitorimit, të drejtuar nga Genoveva Ruiz Calavera prodhoi dy lista të aplikantëve: Lista A me 29 aplikantë, që plotësojnë kriteret dhe kanë të plotë dokumentacionin; Lista B me 164 aplikantë që nuk plotësojnë kriteret për shkak të mungesës së dokumentacionit.

Para disa ditësh Parlamenti vendosi që aplikantëve në listën B t’u jepet edhe një mundësi të plotësojnë dokumentacionin e tyre, duke përsëritur të njëjtat procedura, nën monitorimin dhe duke u konsultuar me Misionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Ky është një proces i ndihmës administrative, që institucionit të Avokatit të Popullit ia kërkoi Parlamenti. Plotësimi i dokumentacionit ka nisur në fillim të kësaj jave dhe përfundon më datë 27 Mars.

DW:  Si po ecën plotësimi i dokumentacionit dhe verifikimi i tij?

Igli Totozani:  Mund të garantoj që ky proces deri tani është një nga garat më të ndershme, korrekte dhe serioze që janë bërë në Shqipëri, falë tre faktorëve kryesorë: interesit të  madh të njerëzve për t’iu përgjigjur thirrjes dhe aplikuar; punës shumë voluminoze dhe të ndershme nga stafi  i institucionit të Avokatit të Popullit;  ndihmës së jashtëzakonshme të Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ekspertëve ndërkombëtarë të këtij misioni, mes të cilëve edhe një ekspert nga Gjermania. Prania e tyre është garanci e sigurtë që procesi të jetë i saktë, korrekt, serioz. Pas verifikimit të aplikantëve nga Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit, pas dhënies së rekomandimeve të tij drejtuar Parlamentit hyjnë në lojë të tjera struktura verifikimi dhe filtrimi, që ngrihen nga Parlamenti si  Komisioni Ad Hoc  dhe dy komisione të tjera. Është një proces i gjatë verifikimi. Jam shumë i sigurtë dhe optimist për suksesin e tij.

DW:  Opozita vazhdon të jetë në protestë për të kërkuar një qeveri teknike 3 muaj para zgjedhjeve  parlamentare të 18 qershorit dhe për shkak te bojkotit nuk është në Parlament për të bërë pjesën e saj në ngritjen e stukturave për të cilat po flasim. Pro reformës në drejtësi janë 90% e shqiptarëve, kemi parasysh edhe votën unanime të 140 deputetëve pro paketës kushtetuese të ndryshimeve ligjore që i hapën rrugën procesit të ngritjes së strukturave të vettingut. Por në këto kushte, kur opozita  nuk po bëhet pjesë e procesit, si do të kurorëzohet ai me sukses? Si  do të adresojë pritshmëritë e 90% të qytetarëve të Shqipërisë?

Igli Totozani:  Avokati i Popullit në ushtrimin e detyrave të tij kushtetuese, qëndron jashtë debateve politike, por mbetet tërësisht i fokusuar në respektimin e ligjit dhe Kushtetutës. Ligji parashikon ngritjen e Komisioneve Ad Hoc me prani te barabartë pozitë-opozitë. Nuk ka zgjidhje tjetër. Ky është një proces  i pandalshëm, madhor, jetik, për Shqipërinë që i vlen konsolidimin e shtetit të së drejtës, rritjes së investimeve, zhvillimit të ekonomisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut etj. Pra është një proces që do të përfundojë, sepse është skalitur në Kushtetutën e Shqipërisë.

Unë shpresoj në ngritjen brenda afateve ligjore jo vetëm të strukturave të Vettingut, por edhe të institucioneve të tjera të Reformës në Drejtësi, si Këshilli i Lartë Gjyqësor,  Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ku  pritet të aplikojnë edhe nga shoqëria civile. Më vjen keq që nga shoqëria civile ka pasur vetëm tetë aplikime, për një proces që tashmë po përsëritet, gjë që nuk përligjet nga kontributi  i saj në zhvillimin e demokracisë në Shqipëri, lobimi dhe advokimi për çështje të rëndësishme. Prania  e shoqërisë civile në strukturat e reja për zbatimin  e reformës në drejtësi është një mundësi që ka shoqëria civile, për të dhënë kontributin e saj në një reformë kaq të rëndësishme dhe madhore, si reforma në drejtësi.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme