Keqmenaxhimi, humbjet e shumta dhe planifikimet joadekuate të të hyrave kanë bërë që ndërmarrja publike “Trainkos” të jetë në prag të falimentimit.
Kjo ndërmarrje ka më shumë se 13 ditë që ka ndërprerë qarkullimin e linjës Prishtinë-Pejë dhe atë Prishtinë-Han i Elezit në mungesë të buxhetit.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) e kishte paralajmëruar “Trainkosin” për vështirësitë financiare me të cilat mund të përballet shkaku i planifikimeve joadekuate dhe i menaxhimit jo të duhur, shkruan sot Koha Ditore.
Ndalimi i trenave në këto linja, sipas kësaj ndërmarrjeje, është bërë në mungesë të mjeteve financiare, të cilat, sipas saj, nuk janë siguruar nga Qeveria e Kosovës.
“Mjetet e ndara për këtë transport nga QRKS-ja janë shpenzuar në muajin qershor të këtij viti. Deri më tani trenat janë mbajtur në operim me mjete vetjake nga ana e ndërmarrjes, por mbajtja e tyre më gjatë në operim është e pamundur”, ka njoftuar ditë më parë kjo ndërmarrje.
Mosqarkullimi i këtyre dy linjave i ka shkaktuar vështirësi financiare edhe ndërmarrjes tjetër “Infrakos”.