Raporti i Trainkosit me plot parregullsi, borxhe e punësime pa konkurs

Prishtinë | 20 Nën 2018 | 12:15 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka shqyrtuar pasqyrat vjetore financiare të ndërmarrjes publike “Hekurudhat e Kosovës–Trainkos Sh.A”.

Deputetja, Emilija Redzepi, tha se raporti i “Trainkos” nuk paraqet pamje të vërtetë të aspektit material.

“Raporti i auditorit tregon se ky nuk është në rregull dhe nuk paraqet pamjet e vërteta në aspektin material. Kjo për shkak të borxheve të mëdha ku klientët kanë pas borxhe ndaj bizneseve dhe asnjëherë nuk janë paguar. Mjetet e pakontrolluara dhe paregjistruara më shumë se 140 mijë euro. E kemi kapitalin rezervë rreth 5 milion euro dhe gjithashtu nuk është e qartë shifra rreth borxheve të këqija. Raporti tregon se nuk ka fitim vjetor të saktë”, tha ajo, raporton Ekonomia Online.

Ajo përgjegjësinë më të madhe për ia ka hedhur menaxhmentit të ndërmarrjes “Trainkos”.

“Një përgjegjësi të madhe e ka menaxhmenti. Ka menaxhim të keq financiar dhe nuk  është e paraqitur patundshmëria dhe avancet e dhëna. Menaxhimi dhe procesi i përgjegjësisë ka disa hapa konkret. “Trainkos”, duhet të përgatis raportet vjetore financiare sipas standardeve ndërkombëtare”, tha ajo.

Sadik Kryeziu nga Trainkos, tha se Qeveria e Kosovës jep vetëm 1 milion euro dhe kjo sipas tij është shumë e vogël dhe nuk përmbush nevojat e kësaj kompanie.

“Ajo çka është më efikase është se ne kemi pas një raport të auditimit. Ne kemi bërë punën tonë dhe jemi mundur të punojmë me përkushtim të plotë, mirëpo kemi arrit që ti plotësojmë 74 prej rekomandimeve të dala nga auditori. Ka pas probleme me pasqyra financiare qe lidhen me problemet e borxheve. Ne kur e kemi marr mandatin na ka ardh rekomandim qe me i heq borxhet. Këto janë probleme të trashëguara”, është shprehur Kryeziu.

Ai ka thënë se kompaninë e kanë marrë në një gjendje të vështirë.

“Ne kemi pas problem edhe me investime kapitale. Ata japin 1 milion euro investim dhe ne vetëm një lokomotivë me ble kushton mbi 5 milion euro dhe kjo është shumë e vogël. Duke e ditë se cfarë gjendje financiare kemi, Qeveria e ka licencuar edhe një kompani private për transportimin e mallrave. Shteti duhet me u përkujdes për këtë, sepse kompania jonë ka mbet anash. I kemi 8-12 trena mirëpo janë shumë të vjetër”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti,  ka kritikuar raportin financiar të ndërmarrjes si dhe punësimin pa konkurs.

“Të gjitha shifrat financiare të kësaj kompanie i bënë shumë jo kredibile, përshembull trajtimi i borxheve dhe një çështje tjetër është shënimi kontabël i stoqeve, këta e kanë zvogëluar kapitalin për t’u zvogëluar llogarit. Unë s’mund ti besoj asnjë shifre në këtë raport. Unë nuk kam pa asnjëherë një raport apo një financiar që guxon me i lëviz shifrat. Tek punësimi, vazhdon punësimi pa konkurs dhe kur është bërë një konkurs nuk janë plotësuar kushtet elementare, është komplet farsë”, tha ai.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në këtë mbledhje, ka vendosur që pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit t’i procedojë në seancë të Kuvendit.

Lexo më shumë:

Të ngjashme