Mund të quhet një tingull i heshtjes. Me tribunat e zbrazëta të stadiumeve, futbollistët dhe trajnerët në Gjermani po e ndryshojnë mënyrën e komunikimit.
Trajnerët e dinë shumë mirë që skuadrat kundërshtare mund t’i dëgjojnë këshillat taktika, por ata gjithashtu duhet ta motivojnë ekipin e tyre që të shkojë përpara në mungesë të përkrahjes së tifozëve. Bundesliga rifilloi vikendin e shkuar pas një pauze prej dy muajsh shkaku i përhapjes së koronavirusit dhe tifozët për pjesën e mbetur të këtij edicioni nuk pritet të rikthehen në tribuna, transmeton KOHA.
Trajneri i Freiburgut, Christian Streich, mori përvojë me vite të tëra nga puna e tij e mëparshme kur ishte në krye të ekipit U19, ndërsa lojtarët e tij morën një barazim 1:1 të befasishëm ndaj pretenduesit për titullin e kampionit, RB Leipzigut, të shtunën, ditën e parë të rifillimit të Bundesligës prapa dyerve të mbyllura.
“Në ndeshjen ndaj Leipzigut po e kujtoja sërish kohën që e kalova si trajner i ekipit U19. Në ndeshjet e të rinjve, trajnerët tërë kohën mund ta dëgjojnë zërin e tyre. Kështu që ndaj Leipzigut nuk e kisha problem të bërtisja vazhdimisht. Kështu që, tash e tutje më duhet të flas më shumë për shkak se instruksionet e mia në mungesë të tifozëve, duket se po kanë efekt te lojtarët”, tha ai. Volumi i zërit nuk është problem për trajnerin Streich.
“As unë nuk e kam volumin e ulët të zërit. Pa problem mund të dëgjohet deri në 50 metra larg. Pra, e di se çfarë më pret deri në fund të këtij edicioni dhe jam i gatshëm për të mos ndaluar së bërtituri”, ka shtuar Streich.