Trajneri Mircea Lucescu thotë se futbolli ukrainas nuk duhet të ndalet.
Sipas tij, në këtë mënyrë populli do ta tregonte vendosmërinë dhe se nuk do të përkulej nga asnjë faktor i jashtëm.
Trajneri rumun, i cili e drejton Dinamo Kievin, shkoi në atdhe duke u larguar nga lufta që kishte nisur në Ukrainë.
“Në karrierën time, fillimisht si lojtar e më pas si trajner, nuk më ka ndodhur kurrë një gjë e tillë. Është eksperienca më e tmerrshme prej të gjithave”, deklaroi ai për “CorSport”, përcjell “Gazeta Express”.
“Është e nevojshme që mos të ndalet futbolli në Ukrainë. Me këtë rast do ta jepte mesazhin e një populli që nuk dorëzohet dhe që nuk frikësohet”, vazhdoi Lucescu.
Ndërkohë, Dinamo po ushtron në Bukuresht e ish-trajneri i Interit e Brescias uron që me ekipin e tij të mund ta bëjë një miqësore në Itali.
“Mourinho? Shpresoj që të mundë të flasim për ta organizuar një ndeshje me Romën. Të luash në qytete të mëdha është vendimtare dhe e rëndësishme për ta zgjuar vëmendjen e kombeve në të cilat shkojmë. E kam marrë gatishmërinë e PSG-së, i cili do të na ftojë me gjasë pasi ta sigurojë matematikisht titullin në Ligue 1, të Barcelonës dhe të Guardiolës, i cili do të na presë kur të përfundojë sezoni në Premierligë”, përfundoi Lucescu.