Spanja zhvilloi pasditen e së hënës seancën e parë stërvitore në prag të sfidës me kombëtaren shqiptare dhe e gjithë vëmendja ishte mbi Gerard Pique.
Ashtu siç pritej, tifozët nuk i kursyen fërshëllimat dhe pankartat kundër mbrojtësit 30-vjeçar, madje edhe fyerjet ndaj tij ishin të shumta. Gjendja arriti deri aty sa të kërkohej edhe largimi i futbollistit nga përfaqësuesja spanjolle. Situata ishte kaq e tensionuar sa trajneri Julen Lopetegui vendosi që të mbyllë stërvitjen pas vetëm 25 minutash.
Gerard Pique, që ka fituar si botërorin ashtu edhe europianin me skuadrën e Spanjës, kohët e fundit është shfaqur hapur pro votimit për referendumin në Katalonjë, duke bërë që të rritet urrejtja ndaj tij te tifozët e tjerë.
Ai që i doli në mbrojtje në këtë moment delikat, mbrojtësit katalanas ishte trajneri Lopetegui në një intervistë për radion COPE.
“Kam folur me Piquen. Doja të dija se si ishte në aspektin prsikologjik duke parë edhe situatën e krijuar. Vura re se ishte shumë mirë, i motivuar dhe me shumë dëshirë, po të ishte e kundërta nuk do të ishte me ne. Tani i takon atij të shuajë këtë situatë të ndezur. Në ndeshjen kundër Shqipërisë është në lojë puna e 1 viti e gjysmë. Duhet të jemi të përqendruar për të mbyllur çështjen e kualifikimit dhe për këtë duhet kontributi i të gjithëve”, tha ai.
Skuadra spanjolle u kthye në La Rozas paraditen e kësaj të marte për të zhvilluar seancën e radhës stërvitore dhe këtë radhë ishte e gjitha me dyer të mbyllura.