Trajtimi i dhunës në familje duhet të kalojë nga fjalët në vepra. Kështu u tha gjatë prezantimit të raportit të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës “Nga fjalët në vepra? Monitorimi i reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e Rrjetit të Grupeve të Grave, Igballe Rugova, tha se ndonëse ka progres të mekanizmave në luftimin e dhunës në familje nuk ka zbatim të tyre.
“Kemi një progres institucional kemi një progres të mekanizmave që luftojnë dhunën në familje por s`kemi zbatim .Kjo është arsyeja pse na sot kemi para jush edhe një raport që e kemi titulluar nga fjalët në vepra sepse na si Rrjet i Grave, na s`po duam më fjalë na po duam vepra”, tha ajo.
Arsim Aziri, nga Agjencia Austriake për Zhvillim tha se përkundër se është bërë punë e mirë dhe është bërë lëvizje pozitive në trajtimin e dhunës në familje, ka ende vend për përmirësim.
“Dhuna gjinore nuk është fenomen i Kosovës. Tash duhet të kalohet prej fjalëve në vepra, kjo nuk është temë që bëhet me fjalë e me një protestë por diçka që duhet të punohet çdo ditë. Austria e ka temë të veçantë përfshirjen e gruas në aktivitete të ndryshme. Siç thash, tash ka lëvizje, ka aktivitete mund të them se ka lëvizje pozitive mirëpo siç e cek edhe raporti ka ende vend për përmirësim”.
Naim Qelaj, zëvendësministër i Drejtësisë dhe koordinator kombëtar mbi dhunën në familje tha se ndonëse Qeveria ka pasur ngecje në caktimin e koordinatorit nacional për dhunën në familje, janë duke punuar që të arrijnë te rezultate të dukshme.
“Është e vërtetë që koordinatori ndërrohet por sfida dhe qëllimi mbetet. Qëllim i institucioneve është luftimi i dhunës në familje. Është e vërtetë që Qeveria ka pasur një ngecje për caktimin e koordinatorit për arsye që edhe ju i dini, siç janë ato politike e të tjerë”.
“Jam i interesuar dhe kam kërkuar nga të gjitha institucionet për zbatimin e strategjisë nacionale. Nga raportet që kam deri më tani është e qartë se dhuna është evidente dhe institucionet janë duke punuar për këtë çështje”.
Ndërsa zëvendëskryeprokurorja, Sevdije Morina, tha se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme që të trajtojnë dhunën në familje.
Morina shtoi se një ndër problemet me të cilat hasin te prokurorët është mentaliteti që dhuna në familje duhet të mbetet brenda katër mureve.
Ajo më tutje tregoi edhe për dokumentin të cilin e kanë miratuar, përmes të cilit janë duke u munduar që të ndërmarrin masat e duhura.
“Institucioni i Prokurorit të Shtetit është duke bërë përpjekje të vazhdueshme që të trajtojë këtë çështje të dhunës në familje. Sipas këtij dokumenti, prokurorët detyrohen që rasteve të dhunës në familje të iu jepet prioritet të hulumtojnë ato raste ku ka dhunë”.
“E kemi ndalu që rastet të shkojnë me ndërmjetësim për shkak të pozitës së pabarabartë të kryesve dhe viktimave. Megjithëse ka hapa pozitiv ka ende punë për tu bërë”.
Kjo iniciativë është bërë e mundur nëpërmjet mbështetjes të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA).
Në dhjetor të vitit 2016, Kosova miratoi Strategjinë e dytë kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe planin e veprimit për periudhën 2016-2020 (SKMDHF).
Që prej asaj kohe, janë ndërmarrë disa nisma me të cilat është synuar të ngrihet kapaciteti i institucioneve publike për ta zbatuar këtë dokument dhe të caktohen përgjegjësitë e tjera ligjore në lidhje me dhunën në familje.
Mes gushtit dhe nëntorit të vitit 2017, RrGK dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) monitoruan shkallën e zbatimit të kornizës ligjore nga përfaqësuesit e institucioneve relevante që kanë përgjegjësi ligjore për mbrojtjen e personave që kanë vuajtur nga dhuna me bazë gjinore.
Monitorimi, poashtu, ka synuar të shqyrtojë çdo ndryshim që mund të kishte ndodhur që prej vitit 2015 në qëndrimet, ndërgjegjësimin dhe rezultatet e punës së institucioneve që punojnë me rastet e dhunës me bazë gjinore dhe të vlerësojë zbatimin e SKMDHF deri më tani.