“Certifikatë të Mosmirnjohjes”. Kështu e ka cilësuar, Agim Veliu, vendimin e fundit të udhëheqësisë së re të LDK’së, për t’ia marrë kompetencat e udhëhqejes së Degës në Podujevë, qytet ku vetë Veliu, s’dinte për humbje për gati dy dekada. Ky vendim i Abdixhikut, nga profesori i universitar i filozofisë politike, Blerim Latifi, po cilësohet si poshtërim dhe si diçka e pa parë në LDK. Derisa analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Imer Mushkolaj, qasjen e LDK’së ndaj Veliut e sheh si të gabuar dhe thotë se vazhdimi i hidhërimit të ish-nënkryetarit me strukturat mund të ketë efekt negativ në rezultatin e LDK’së në Llap gjatë vjeshtës.
Zgjedhjet e 14 shkurtit dhe rezultati që ka marrë LDK-ja kanë bërë që partia e themeluar nga Ibrahim Rugova të shkojë urgjent drejt reformave, duke zgjedhur strukturat e reja vetëm brenda pak ditësh. Udhëheqësia e re, në krye me Lumir Abdixhikun, në tentim e sipër për të reflekuar nga debakli i zgjedhjeve të 14 shkurtit ka filluar edhe largimin nga pozitat në parti, të disa figurave që ishin protagonistët e përplasjeve me Lëvizjen Vetëvendosje pas rrëzimit të Albin Kurtit nga pushteti dhe gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit.
“Viktima” e parë, Agim Veliu
Profesori universitar i filozofisë politike, Blerim Latifi, vendimin e Lumir Abixhikut për Agim Veliu po e cilëson si poshtërim të hapur të këtij të fundit.
“Largimi i Veliut është një përjashtim klasik, i cili më është dukur i çuditshëm për faktin se në traditën e brendshme të LDK-së nuk njihen praktika të këtilla. Për më tepër kur kemi të bëjmë me një personalitet i cili për 20 vite radhazi ka fituar zgjedhjet vazhdimisht në njërën nga zonat më të rëndësishme elektorale të Kosovës, e cila është zona e Llapit. Ky akt ka qenë një poshtërim i hapur i Veliut, që si duket është bërë me arsyen e thjeshtë që kryetari i ri i LDK-së të mos ketë zëra kundërshtues brenda partisë”, ka thënë ai për Express.
Madje, Latifi thotë se heshtja e të tjerëve në LDK për mënyrën si su u “ekzekutua” Agim Veliu, tregon se në partinë e Abdixhikut nuk lodhen për parime, por vetëm për interes personal.
Ndër të tjera, profesori i UP-së deklaroi se vendimi që është marr ndaj Veliut, do ta dëmtojë politikisht LDK-në në zgjedhjet lokale në Podujevë.
“Heshtja brenda LDK-së me të cilën u përcoll poshtërimi i Veliut, tregon se njerëzit aty nuk lodhen fort shumë për parimet dhe u intereson vetëm interesi i tyre individual dhe mirëmbajtja e tij. Mund të jetë se edhe u ka konvenuar që Veliu, duke u poshtëruar, t’i ngarkohen të gjitha fajet për debaklin e 14 shkurtit. Në këtë mënyrë të tjerët pastrohen nga mëkatet për humbjen dhe vazhdojnë më tutje. Mendoj se largimi i Veliut do ta dëmtoj LDK-në në zgjedhjet lokale në Llap, por se në deri çfarë shkalle këtë nuk jam në gjendje ta them me saktësi”, deklaroi ai për Express.
Se është qasje e gabuar tarjtimi që LDK po ua bën figurave si Agim Veliu, e ka thënë edhe analisti Imer Mushkolaj. Ai tha për Express, se ndikimi që ka pasur Agim Veliu në Podujevë ka qenë i madh.
“Me ardhjen në krye të LDK-së të kryetarit të ri, po duket se ai po don që disa gjëra ‘të i prej me thikë’ dhe me këtë logjikë e ka bërë edhe ndërrimin në Podujevë. Unë besoj që kjo qasje nuk është e duhura. Kjo për shkak se LDK njihet për lidhjet që i ka në anëtarësi dhe në strukturat e veta. Për Podujevën bëhet fjalë për rajonin ku z.Veliu e ka pasur një ndikim të madh, pavarësisht se në zgjedhjet e fundit LDK-ja i ka humbur atje”, ka thënë ai për Express.
Mushkolaj tha se mënyra që ka zgjedhur LDK-ja për të ndërruar zyrtarët e partisë në Degë dhe Nëndegë është e gabuar.
“Kështu që unë besoj që edhe pse qëllimi mund të jetë i mirë, mënyra që është zgjedhur nuk është e duhura dhe duhet me pas kujdes z.Abdixhiku dhe Kryesia e LDK-së edhe në raste të tjera, nëse e kanë ndërmend që të bëjnë ndërrime kaq drastike, sidomos jo tash para zgjedhjeve lokale për shkak se LDK-ja është organizuar në një mënyrë krejt specifike krahasuar me partitë e tjera dhe lëvizjet në degë, nëndegë dhe në strukturat e LDK-së luan shumë rol”, deklaroi Mushkolaj.
Ndër të tjera, analisti pohoi se në bazë të praktikave në Degët ku ka mosmarrëveshje, nuk ka as rezultate të mira.
“Se a do ta dëmtojë apo jo mbetet me u pa. Por, praktikat na tregon se zakonisht kur ka pasur mospajtime të degës për një kandidat të caktuar, ajo degë më nuk ka kaluar mirë. Mos të harrojmë rastin në Prishtinë para katër vitesh kur kandidat ishte Arban Abrashi dhe e dimë që të paktën prej informatave që janë bërë publike se kishte një hezitim të anëtarësisë dhe degëve të LDK-së që ta votonin z. Abrashin për kryetar dhe ai nuk e murr rezultatin që ndoshta që e ka pritur”, ka thënë ai.
Edhe Mushkolaj theksoi se marrja e kompetencave të kryetarit nga Veliu, do të ketë ndikim në rezultatin zgjedhor të LDK-së, në zgjedhjet e tetorit.
“Natyrisht se ka me pasur ndikim për shkak se nuk është një kohë e gjatë deri në mbajtjen e zgjedhjeve dhe nuk e di nëse kandidati i ri për kryetar atje, që mund të jetë kandidat shumë i mirë, mund ta forcojë apo ta etabloj këtë lidhje me strukturat lokale në mënyrë që votuesve të LDK-së tua mbush mendjen që ta rikthejnë besimin që në zgjedhjet e kaluara e patën për kandidatin e VV-së. Është e rëndësishme edhe mënyra se si z.Veliu do t’i qaset në kuptimin e dëmit që mund ta bëjë në Podujevë nëse vazhdon që ta vazhdojë këtë lloj hidhërimi me vendimin e Kryesisë për ta larguar atë nga Dega”, ka thënë..
Për ta pyetur rreth raporteve që ka me Agim Veliun, Gazeta Express ka kontaktuar edhe përgjegjësin e ri për Degën e Llapit, Ekrem Hyseni, por ky i fundit s’ka pranuar të flasë.
Në ndërkohë, ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, është ankuar për vendimin e kryesisë së partisë për t’ia bartur kompetencat e kryetarit të degës së LDK-së në Podujevë, kandidatit për kryetar komune.
Veliu ankesën e tij e ka procesuar kundër vendimit të Kryesisë së LDK-së, të datës 9 qershor, për ta vënë Ekrem Hysenin në krye të Degës.
E ky vendim , sipas deputetit të LDK-së ka qenë në kundërshtim me statutin e partisë, politikisht i dëmshëm për LDK-në, joetik dhe i pamoralshëm.
Ndër të tjera, në ankesë, Veliu ka theksuar se edhe kandidati për kryetar të komunës së Podujevës ka qenë vendim i kundërligjshëm, pasi sipas tij, Hyseni është emëruar pa koordinim me Kryesinë e Degës në Podujevë.
“Më pikën 2, 3 dhe 4 të vendimit në mënyrë kundërt statutare kandidati i emëruar, në kundërshtim me dispozitat e lartcekura të statutit të LDK është autorizuar të udhëheq shtabin zgjedhor, të formojë listën e kandidatëve për asamble dhe të strukturoj shtabin zgjedhor. Të gjitha këto kompetenca me statut i takojnë Kryesisë dhe Kryetarit të Degës së LDK. Prandaj pika 1, 2, 3 dhe 4 e vendimit janë tërësisht jashtë frymës dhe përcaktimeve statutare të nenit 44 dhe nenit 45, të Statutit të LDK-së. Për këtë arsye kandidati i emëruar me pikën 1, në kundërshtim me dispozitat statutare është autorizuar të formoj, strukturoj shtabin dhe të formojë listën e kandidatëve për asamble komunale për të marr pjesë në zgjedhjet lokale”, thuhet në ankesën e Veliut, të cilin e ka publikuar ATVlive.
Të papranueshme Veliu e ka konsideruar edhe kalimin e kompetencave të kryetarit të Degës, tek kandidati për kryetar të komunës. Kjo pasi sipas Veliut, vetëm Kuvendi e zgjedh Kryesinë, kryetarin, zv.kryetarin dhe sekretarin e Kryesisë së Degës
“Pika 5 e vendimit të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës me të cilin kandidatin e emëruar për garën për kryetarë të Komunës së Podujevës, në kundërshtim me statutin e LDK-së ia bart kompetencat të udhëheq Zyrën e LDK në Podujevë, të udhëheq Kryesinë e Degës. Pra, duke shkelur dispozitat e statutit ia kalon kompetencat e kryetarit të Degës në Podujevë tek kandidati për kryetar Komune. Kjo shkelje është e paprecedent dhe ndërhyrje direkte në kompetencën e organit tjetër të LDK-së. Neni 42.3 i Statutit vetëm Kuvendit të degës ia njeh të drejtën në fjalë. Në këtë mënyrë, neni 42.3 ka përcaktuar qartë se: ‘Kuvendi zgjedh Kryesinë, kryetarin zëvendësin e kryetarit dhe sekretarin e Kryesisë së Degës’, ndërsa neni 30 që përcakton kompetencat e kryesisë qendrore të LDK, ka paraparë se : Kryesia Qendrore në emër të LDK-së merr vendime politike dhe vendime të tjera, po që se ati nuk janë në kompetencë të organeve të LDK-së;, ne rastin konkret është shkelur në mënyrë arbitrare dhe të pa precedent statuti i LDK-së për shkak se për këtë çështje sipas nenit 42.3 ka qenë kompetencë e Kuvendit të Degës së LDK-së e jo e Kryesisë Qendrore”, thuhet më tutje në ankesën e Veliut.
Veliu këtë vendim të Kryesisë së LDK-së e ka cilësuar edhe si “Certifikatë të mosnjohjes”, siç ka shkruar ai në ankesë.
“Ky vendim është edhe i pamoralshëm në pikëpamje politike në raport me qytetarët e komunës së Podujevës. Përveç tjerash, ky vendim i Kryesisë Qendrore është fyerje për qytetarët e komunës së Podujevës, të cilët për 30 vite të themelimit të LDK e mbështetën, madje edhe në periudha të rënda. Ky vendim përçarës i Kryesisë Qendrore të LDK-së është ‘Certifikatë e mosmirënjohjes’ për kontributin, besnikërinë dhe mbështetjen e vazhdueshme 30 vjeçare që qytetarët e Komunës së Podujevës dhanë për LDK-në. Njëjtë është fyerje edhe për mua si themelues dhe kryetar i saj. Këtë e bëri Kryesia Qendrore e LDK-së, në krye me kryetarin z. Lumir Abdixhiku”, thuhet në ankesën e tij.