Programi i Ndihmës për Media të Shërbimit Publik në Ballkanin Perëndimor ka organizuar tryezë diskutimi lidhur me financimin dhe modelet e qeverisjes dhe rregullimit të shërbimit publik transmetues të Kosovës.
Ricardo Serri nga zyra e BE-së tha se financimi nga shteti rrezikon pavarësinë e RTK-së, raporton Ekonomia Online.
“Ky projekt përfshin tërë rajonin dhe jo vetëm Kosovën. Liria e medias është shtylla kurrizore me të cilin është krijuar Bashkimi Evropian. Nuk mund të ketë zhvillim nëse s’ka media të lira. Ka shumë lajme të rreme, ka pjesë propagande në shtetet tona. Ne në raportin tonë kemi thënë se Kosova përfiton nga një mjedis pluralist për media, gjë që është pozitive. Nëse flasim për financimin, unë vij nga një shtet ku tarifat paguhen nga qytetarët, por jo të gjithë e kanë këtë sistem. Kosova ka të drejtë edhe pasi që të anëtarësohet në BE të caktojë format e saja. Transmetuesit publikë duhet të funksiononin si organizata moderne e burokratike dhe duhet të jenë të pavarura nga presioni politik. RTK-ja mbetet e financuar nga shteti dhe kjo e rrezikon pavarësinë dhe duhet të gjejë shpejt një formë tjetër të financimit”, tha ai.
Deputeti dhe anëtari i komisionit për media, Milaim Zeka, tha se në Ballkan në përgjithësi mediat nuk janë të profilizuara e që, sipas tij, u jep hapësirë të shkruajnë edhe të pabazuar, raporton EO.
“Problemin më të madh Ballkani e ka me mediat të cilët përhapin lajme të rrejshme. Kjo bëhet edhe për shkak të profilizimit të mediave. Në Kosovë, Serbi, Shqipëri, Maqedoni e Bosnje nuk ekziston profilizim, zakonisht prapa këtyre mediave fshihen bosat. Problem i madh është se këtu merren deklaratat e njerëzve në Facebook dhe publikohen si lajm, mirëpo një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë”, tha ai.
Boris Bergant, konsulent i lartë i EBU-së, ka prezantuar “Raportin mbi modelet e financimit të PSM-së në Ballkanin Perëndimor, vështrimi i përvojës rajonale”.
“Media nuk duhet të financohet nga qeveria apo shteti. Ndarja mes mediave publike dhe komerciale është se mediat publike janë të orientuara nga informimi, por transmetuesit komercialë kanë qëllimin vetëm për të fituar para. Nuk ka asnjë standard të vetëm në Evropë që e rregullon shërbimin publik”, shtoi ai.