Transparencë zero për fondin e sigurimeve shëndetësore

Prishtinë | 16 Dhj 2016 | 09:32 | Nga

Shoqata për Mbrojtjen e Pacientëve ka vlerësuar se transparenca sa i përket fondit të sigurimeve shëndetësore është zero.

Po ashtu, në këtë Shoqatë thonë se nuk janë plotësuar parakushtet esenciale për fillimin e suksesshëm të grumbullimit të fondit të sigurimeve shëndetësore, ndërkaq Qeveria është optimiste se do t’ia dalë, shkruan “Zëri”.

Sigurimet shëndetësore janë sfida më e madhe e shëndetësisë kosovare të pasluftës, ndërsa implementimi i tyre duhet të merret me kujdes dhe pas një procesi të kujdesshëm të përgatitjeve të gjithanshme.

Ky vlerësim doli në një konferencë të organizuar nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK, dhe e mbështetur nga “Suisse Solidar”, në të cilën përfaqësues nga Qeveria dhe OJQ-të debatuan për sfidat e implementimit të sigurimeve shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se sistemi shëndetësor në Kosovë ka vepruar pas luftës pa komponentin e sigurimeve shëndetësore.

Ndërkohë që, pas shumë përgatitjeve Ministria e Shëndetësisë bashkë me ministritë dhe agjencitë e tjera, ai tha se, kanë përcaktuar janarin si muaj kur pritet të fillojë mbledhja e premiumeve (kontributeve) për skemën publike të sigurimeve shëndetësore. Kjo, siç tha Rrahmani, duke u bazuar në Ligjin për Sigurime Shëndetësore dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës, të marrë në gusht të këtij viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme