Presidenti amerikan, Joe Biden, do ta fajësojë Donald Trump për trazirat e Kapitolit të SHBA-së, teksa shënon përvjetorin e sulmit në selinë e demokracisë amerikane.
Duke folur në Kongres, Biden do të thotë se paraardhësi i tij mban “përgjegjësi të veçantë” për “kaosin dhe masakrën”, tha zëdhënësja Jen Psaki.
Hetuesit deri më tani kanë arrestuar 725 të dyshuar në lidhje me sulmin.
Mbështetësit e Trumpit sulmuan ndërtesën kur Kongresi po mblidhej për të vërtetuar fitoren e Biden në zgjedhjet presidenciale.
Imazhet e ligjvënësve amerikanë të strukur nga turma në galerinë e Dhomës së Përfaqësuesve në atë pasdite të 6 janarit 2021 tronditën botën.
Trump u kishte kërkuar protestuesve në një tubim jashtë Shtëpisë së Bardhë para kësaj që të marshonin “në mënyrë paqësore” drejt Kongresit, por ai gjithashtu i nxiti ata të “luftonin” dhe nxiti turmën me pretendime të pabazuara për mashtrim masiv të votuesve në zgjedhjet që sapo i pati humbur .
Ish-presidenti amerikan kishte planifikuar të mbante një konferencë për shtyp sot nga shtëpia e tij turistike në Palm Beach të Floridës, por e anuloi ngjarjen pasi ndihmësit thuhet se e paralajmëruan për mbulim negativ të shtypit.
Zëdhënësi i Trump, Taylor Budowich, tha se nuk ishte “e habitshme” që Biden do ta kalonte ditën “duke u përpjekur të përçajë më tej kombin amerikan” në një përpjekje për të shpërqendruar votuesit nga inflacioni në rritje dhe krimi dhe mbylljet e shkollave për shkak të koronavirusit.