Ka pësuar ndryshime lista me emrat e sportistëve që do të përfaqësojnë vendin në Lojërat e dyta Evropiane, që mbahen në Minsk të Bjellorusisë pas një muaji. Në listë të hënën janë shtuar tre boksierë, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës.
Në Lojëra Evropiane do të garojnë boksierët Shpëtim Bajoku në kategorinë deri 64 kilogramë, Patriot Behrami në kategorinë deri 69 kilogramë dhe Ardit Delijaj në kategorinë deri 81 kilogramë. Të tre marrin pjesë me ftesë e jo me normë të fituar, shkruan Koha Ditore.
Në të vërtetë kualifikimet për “Minsk 2019” kanë përfunduar tashmë, por Unioni Evropian i Boksit ka vendosur që turneu i boksit në Lojërat Evropiane të vlejë edhe si kampionat evropian i boksit për këtë vit. Dhe për këtë arsye ka rritur numrin e pjesëmarrësve, prej të cilit ndryshim kanë përfituar edhe boksierët kosovarë. Në boks do të garojë edhe Donjeta Sadiku, që ishte e para që mori ftesë për ngjarjen më të madhe shumësportëshe evropiane të vitit.
Në “Minsk 2019” me normë të fituar do të marrin pjesë vetëm pesë xhudistët, që janë edhe pretendentë për medalje: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova e Loriana Kuka.
Normë kanë fituar edhe mundësit Drilon Syla e Egzon Shala, ndonëse norma në sportin e mundjes nuk ishte e vështirë për t’u siguruar. Njërit i mjaftoi vetëm paraqitja në Evropian e tjetrit vetëm një fitore në Evropian. Por mundja nuk do të prezantohet në Minsk.