Tre fëmijë në Ferizaj gjejnë portofolin me 614 euro dhe e dorëzojnë në polici

Prishtinë | 19 Nën 2025 | 21:37 | Nga Ekonomia Online

Policia e Ferizajt ka bërë të ditur se më 18 nëntor, në stacionin policor është paraqitur qytetari N. Tërziu, i cili kishte sjellë një portofol të gjetur nga tre fëmijë: R.T (12 vjeçe), A.T (11 vjeç) dhe D.T (11 vjeç), nxënës të një shkolle në Ferizaj. Portofoli ishte gjendur në një rrugë të qytetit.

Sipas komunikatës, brenda portofolit janë gjetur dokumente personale dhe 614 euro. Pas verifikimeve, policia ka identifikuar pronaren, B.M. nga Ferizaj. Ajo është paraqitur menjëherë në stacion dhe ka konfirmuar se dokumentet dhe paratë ishin të paprekura. Më pas, të gjitha i janë kthyer asaj me procesverbal zyrtar.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar publikisht fëmijët për veprimin e tyre “human, edukativ dhe shembullor”, duke theksuar se ky gjest pasqyron “vlera të larta morale, familjare dhe qytetare” dhe mbetet një shembull frymëzues për fëmijët dhe qytetarët mbi ndershmërinë dhe përgjegjësinë shoqërore.

Të ngjashme