Tre persona humbin jetën nga vërshimet në ishullin grek Evia

Prishtinë | 09 Gus 2020 | 14:13 | Nga Ekonomia Online

Tre persona, mes të cilëve edhe një foshnje 8-muajshe janë gjetur të vdekur në ishullin Evia në Greqi, si pasojë e motit të ligë që ka goditur këtë vend.

Dhjetëra të tjerë janë ngujuar nëpër shtëpi dhe automobila të tyre, ka njoftuar të dielën Policia greke, përcjell agjencia greke “Ana”.

Sipas Policisë, një 86-vjeçar dhe një 85 vjeçare që ishin çift, herët në mëngjes janë gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tyre të vërshuar nga uji në fshatin turistik Politika, 100 km në veri të Athinës.

Foshnja 8-muajshe është gjetur në përdhesen e një shtëpie në të njëjtin fshat.

Kryebashkiaku lokal ka thënë se foshnja nuk është e këtij fshati, por se me prindërit ishte për pushime.

Shumë prej banorëve vendas janë parë duke hipur mbi çati, kurse shërbimi i zjarrfikësve ka dërguar helikopterë për t’i shpëtuar ata nga kjo fatkeqësi natyrore.

Po ashtu, reshjet e mëdha të shiut kanë bërë që rrugët të bllokohen, e për pasojë edhe shumë turistë të ngujohen.

Pos Politikas, edhe fshatrat tjera përreth kanë pësuar dëme të mëdha.

Dy lumenj në këtë rajon kanë dalë nga shtretërit e tyre dhe kanë bërë që të ketë vërshime.

Pushteti ka aktivizuar 100 zjarrfikës dhe dy helikopterë për evakuimin e banorëve.

Të ngjashme