Shkencëtarët amerikanë, Frances Arnold dhe George Smith, dhe hulumtuesi britanik, Gegory Winter, fituan Çmimin Nobel për Kimi, për zbulimet e tyre në hulumtimin e enzimës.
Enzimat janë katalizatorë biologjikë, të cilët përshpejtojnë reagimet kimike në qelizat biologjike.
“Laureatët e këtij viti të Nobelit në Kimi janë frymëzuar nga fuqia e evolucionit dhe kanë përdorur të njëjtat parime – ndryshimin dhe përzgjedhjen gjenetike – për të zhvilluar proteina që zgjidhin problemet kimike të njerëzimit”, tha Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në Stokholm, përcjell REL.
Gjysma e çmimit prej 1 milion dollarësh iu dha Arnoldit për punën që ka çuar në zhvillimin e biokarburanteve të reja dhe të produkteve farmaceutike.
Gjysma tjetër ndahet nga Smith dhe Winter. Këta dy kanë zhvilluar një teknikë për të evoluar proteina të reja: kanë përdorur viruse që infektojnë bakteret, për të gjeneruar antitrupa të rinj që mund t’i neutralizojnë toksinat dhe sëmundjet auto-imune.
Këtë javë në Stokholm u ndanë çmimet Nobel edhe për mjekësi dhe fizikë.