Tre të akuzuarit për rastin Banjska u sollën në gjykatë nën masa të rrepta sigurie

Prishtinë | 18 Kor 2025 | 10:05 | Nga Gzim Mujaj

Tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, u sollën në Pallatin e Drejtësisë, ndaj të cilëve sot do të vazhdojë procesi gjyqësor, raporton Ekonomia Online.

Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq janë tre të akuzuarit që janë në masë të paraburgimit, të cilët në seancë u sollën nën masa të rrepta sigurie.

Deri më tani kanë dhënë dëshmi disa zyrtarë policorë që ishin pjesëmarrës në kundërsulmin në Banjskë të Zveçanit.

Më 11 shtator, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, e kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur për rastin “Banjska” ndaj 45 të pandehurve.

Aktakuza i ngarkon ata me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Në aktakuzë thuhet se ky grup, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar që “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”. Si lider i këtij grupi është identifikuar Radoiçiqi, për të cilin thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiqi gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Të ngjashme