Tre vjet burg ndaj të akuzuarit se tentoi ta vriste të dëmtuarin pas mosmarrëveshjes rreth vendit të shitjes

Prishtinë | 10 Shk 2020 | 17:47 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me tre vjet burgim të akuzuarin për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, Zeqir Zeqiri.

Ai akuzohet se në korrik të vitit 2019, në tregun e veturave në Fushë Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje që kishte pasur rreth vendit të shitjes, kishte shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit Bedri Dragusha, duke i shkaktuar atij lëndime të rënda trupore.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Zeqiri është shpallur të hënën nga gjykatësja Suzana Çerkini, pasi më 7 shkurt kishte përfunduar shqyrtimi gjyqësor në këtë rast.

Gjykatësja Çerkini, ka njoftuar se në dënimin e shqiptuar do të llogaritet edhe koha që i akuzuari Zeqiri e ka kaluar në paraburgim prej 28 korrikut 2019.

Sa i përket masës së paraburgimit, e cila ishte në fuqi, gjykatësja tha se me vendim të veçantë ajo do të ndërpritet.

Në emër të paushallit gjyqësor, i akuzuari është obliguar të paguajë shumën prej 100 euro dhe 50 euro të tjera për kompensimin e viktimave të krimit.

I dëmtuari Bedri Dragusha, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Ndaj këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 15 ditësh nga pranimi i kopjes së tij.

Sa i përket armës së sekuestruar, gjykatësja mori vendim që ajo të konfiskohet dhe shkatërrohet.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 11 tetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Zeqir Zeqiri për shkak të veprave penale “vrasje në tentativë”, nga neni 172, lidhur me neni 28 të KPK-së dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi të paautorizuar të armëve”, nga neni 266 të KPK-së.

Sipas kësaj aktakuze, më 28 korrik 2019, në vendin që gjendet afër tregut të veturave në Zonën Industriale në Prishtinë, pas një mosmarrëveshjeje rreth vendit të shitjes në mes të të akuzuarit Zeqiri dhe të dëmtuarit-dëshmitarit Bedri Dragusha kishte filluar përleshje mes tyre.

Siç përshkruhet në aktakuzë, i dëmtuari Dragusha e ka goditur me shuplakë në fytyrë të akuzuarin Zeqiri dhe ia ka hedhur një pishë në tokë, ndërsa miqtë e të dëmtuarit Dragusha-dëshmitarët Ismet dhe Muhamet Hasani, kanë ndërhyrë për t’i ndarë, mirëpo pastaj i akuzuari Zeqiri ka shkuar dhe është kthyer me revolen e kalibrit 7.62 mm, të cilën pasi e ka repetuar, ka shtënë në drejtim të të dëmtuarit, duke e qëlluar atë në abdomen, i cili edhe është rrëzuar për toke, me ç’rast ka pësuar lëndime të rënda trupore me pasoja të përhershme për shëndetin.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pastaj i akuzuari Zeqiri, i ka drejtuar armët edhe dëshmitarëve Ismet dhe Muhamet Hasani, duke u thënë “nëse afroheni ju gjuaj edhe juve”.

Me këto veprime, i akuzuari Zeqiri akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasja në tentativë”, nga neni 372, lidhur me nenin 28 të KPK-së.

Sipas dispozitivit të dytë, i akuzuari Zeqiri, prej vitit 1999, në shtëpinë e tij, në fshatin Halabak, Komuna e Podujevës, ka mbajtur në pronësi të paautorizuar armën e lartcekur, me të cilën ka kryer veprën penale si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze.

Me këto veprime, i akuzuari Zeqiri akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi të paautorizuar të armëve”, nga neni 266 të KPK-së. /Betimipërdrejtësi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme