Tre vjet nga konflikti në Kumanovë, dyshimet mbesin

Kumanovë | 09 Maj 2018 | 14:46 | Nga

Edhe tre vjet nga ngjarjet në Lagjen e Trimave që qytetin e Kumanovës, më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, mbeten dyshimet mbi atë që kishte ndodhur në këtë lagje të banuar me shqiptarë.

Në luftimet dyditore që kishin tronditur jo vetëm këtë qytet dhe Maqedoninë, por edhe rajonin më të gjerë, kishin humbur jetën 18 persona, prej tyre 8 policë dhe 10 pjesëtarë të një grupi të armatosur që prezantohej si Ushtria Çlirimtare Kombëtare, të gjithë shtetas të Kosovës, të cilët pretendonin se luftimet i kishin nisur për të sensibilizuar opinionin për të shkak të pozitës së rëndë të shqiptarëve në Maqedoni.

Tridhjetetetë pjesëtarë të grupit ishin arrestuar, 8 prej të cilëve janë dënuar me burgim të përjetshëm, 4 janë liruar ndërsa të gjithë të tjetër janë dënuar me 746 vjet burg. Njëzetetre nga të dënuarit, po ashtu janë shtetas të Kosovës ndërsa në mesin e të tjerëve ka edhe shtetas të Shqipërisë. Një nga të dënuarit me 14 vjet burg, Irfan Lutfiu është banor i Kumanovës, në shtëpinë e të cilit ishte përqendruar grupi i armatosur, por babai i tij, Liman Lutfiu, thotë se djali i tij është i pafajshëm ndërsa tërë rastin e quan të orkestruar nga shërbimet sekrete.

“Unë e di që ai s’ka faj, unë e njoh djalin tim. Ky djalë nuk është për t’u dënuar. Ky vetëm ka parë interesin e vet, ka dy fëmijë dhe ka punuar si berber në lokalin e vet. Le të pyesin gjithë Maqedoninë nëse ky ka bërë diçka, por unë garantoj me kokë se ky s’ka bërë asgjë. Ky është i pafajshëm, ndoshta kjo do të vonojë, por do të del në shesh”, thotë Lutfiu.

Artene Ademi, avokate e të dënuarve, thotë po ashtu se rasti është i montuar për qëllime të pushtetit të kaluar dhe se këtë sipas saj e ka konfirmuar edhe kryeministri aktual, Zoran Zaev.

Ajo, gjithashtu flet për gjendjen e rëndë shëndetësore të të burgosurve të cilët tani tre vjet ndodhen në paraburgim.

“Të akuzuarit ende gjenden nëpër paraburgime, në kushte jashtëzakonisht të rënda. Për tre vjet, një pjesë e tyre janë nëpër qeli, në vetmi dhe gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë. Sa i përket procesit gjyqësor shpresojmë se me ankesat tona do të arrijmë që vendimi të prishet dhe të kthehet në rigjykim, për shkak se ende nuk janë zbardhur çështjet kyçe për rastin e Kumanovës, e posaçërisht pas deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev, i cili na informon se posedon material për këtë rast. Në një situatë të tillë Prokuroria Speciale duhet të dalë me një vendim të qartë se a mundet që ky rast të kalojë në kompetencë të saj”, thotë Ademi.

Autoritetet e Kosovës, sikur edhe partitë politike shqiptare në Maqedoni, disa herë kanë kërkuar hetim ndërkombëtar të rastit, që e vërteta të dalë në shesh, apo të zbardhen implikimet e mundshme të shërbimeve sekrete, sipas tyre.

Avokati Naser Raufi thotë se për momentin nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim, ndërsa kritikon zvarritjen e lëndës nga gjykata themelore e Shkupit duke i pamundësuar palës mbrojtëse ankimimin e vendimeve në instancat e larta gjyqësor.

“Deri tani nuk kemi informata nëse ndërkombëtarët kanë ndërmarr diçka për këtë rast. Ne kemi kërkuar ndihmën e tyre që të formojë ekipe në kuadër të Prokurorisë për krim të organizuar, por ende nuk kemi një përgjigje. Ne si palë mbrojtëse do të reagojmë në Gjykatës Supreme për shkak të zvarritjes së lëndës në Gjykatën Themelore, pasi nuk ka ndodhur që edhe gjashtë muaj pas shpalljes së vendimit, lënda për arsyeje banale të mospërkthimit të qëndron në këtë gjykatë. Mendoj se Gjykata Supreme do t’i japë një dinamikë këtij rasti pasi janë kapërcyer të gjitha afatet”, thotë Raufi.

Kryeministri Zoran Zaev duke folur për trevjetorin e ngjarjeve në Kumanovë thotë se mbështet hetimin ndërkombëtar, por sipas tij kjo nuk mund të ndodhë pa përfunduar procedurat gjyqësore në Maqedoni.

“Kemi thënë që në fillim se Qeveria është e gatshme për hetim ndërkombëtar të rastit. Duke u nisur nga dispozitat ligjore në Maqedoni, hetimi ndërkombëtar nuk mund të bëhet derisa rasti ndodhet në procedurë gjyqësore. Duhet rasti të marr epilog përfundimtar që më pas të mund të kyçen ekspertët ndërkombëtarë”, tha Zaev.

Nga luftimet e para tre viteve në Kumanovë, ishin shkatërruar mbi 60 shtëpi, shumë familje ishin shpërngulur tek të afërmit e tyre. Deri në ngritjen e shtëpive të tyre me fonde të Qeverisë dhe të organizatave të ndryshme, ata kanë mbijetuar nga ndihmat e njerëzve human që vinin nga të gjitha trevat shqiptare dhe shtetet perëndimore ku ata jetojnë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme