Tregu i lojtarëve në futbollin kinez ka marrë goditje nga Coronavirusi dhe kufizimi i pagës

Prishtinë | 27 Shk 2020 | 09:56 | Nga Ekonomia Online

Tregu i lojtarëve në futbollin kinez ka pësuar rënie, nga goditja e dyfishtë që mori nga Coronavirusi dhe kufizimi i pagës, shkruan agjencia AFP të enjten.

Derisa largimi i Odion Ighalos, mund të jetë fillimi i një eksodi të yjeve të huaj.

Shanghai SIPG kishte thyer rekordin e transferimit të Azisë, kur e transferoi Oscarin nga Chelsea para tre vjetëve për 60 milionë euro, ndërsa në atë drejtim lëvizën edhe Hulk, Marouane Fellaini, Javier Mascherano e Carlos Tevez.

Këto lëvizje futën Kinën në hartë të futbollit dhe lëkundën ligat e mëdha evropiane, pasi klubet kineze ishin në gjendje të paguanin paga rekorde.

Por, me kufizimin e pagës në tre milionë euro në vit, dhe me shtyrjen e nisjes së stinorit në Superligën e Kinës për shkak të përhapjes së koronavirusit, Kina nuk është më destinacioni që ishte dikur.

Afati kalimtar dimëror në Kinë pritet të mbyllet pa shumë bujë të premten, ku klubet e Superligës së Kinës në total shpenzuan vetëm 28 milionë për lojtarë të rinj, që është dukshëm shifra më e vogël që nga viti 2011.

Pati dy largime të mëdha, ku Ighalo iu bashkua Manchester Unitedit në formë huazimi nga Shanghai Shenhua dhe sulmuesi anësor belg Yannick Carrasco u kthye te Atletico Madridi nga Daliani.

Futbolli në Kinë është pezulluar në afat të pacaktuar, për shkak të përhapjes së koronavirusit, që ka marrë rreth 2800 jetë në këtë vend dhe është përhapur tash nëpër botë.

Harry Belford Spencer, bashkëthemelues i Firck Pick Group, një kompani këshilluese sportive me seli në Shanghai, ka thënë se paqartësia që ka shkaktuar koronavirusi, ka frenuar emrat e mëdhenj të huaj që t’i bashkohen klubeve kineze, por ka frenuar edhe klubet kineze të bëjnë transferime të mëdha.

“Si klub nuk investon gjithë ato para, nëse nuk e di saktësisht se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Spencer, që është i përfshirë në skenën e transferimeve në futbollin kinez. “Këta lojtarë i transferon me qëllim për t’i aktivizuar nga shkurti, por tash ka shtyrje të stinorit. Klubet nuk dëshirojnë të ngarkojnë buxhetin e pagave dhe kjo është ndoshta edhe arsyeja pse një lojtar si Ighalo është huazuar te Manchester Unitedi, pasi Shanghai ka dashur të lirojë buxhetin për paga”.

Edhe para situatës së krijuar nga koronavirusi, tregu i lojtarëve në Kinë nisi të pësonte rënie, pasi Federata e Futbollit të Kinës mori masa për të inkurajuar klubet të zhvillojnë lojtarë të rinj.

Ndryshimi më i madh ishte taksa 100% në transferime të huaja mbi gjashtë milionë euro, që është prezantuar në vitin 2017.

Në dhjetor, Federata e Futbollit të Kinës mori vendim që të ketë edhe kufizim të pagës, ku lojtarët e huaj nuk mund të marrin më tepër se tre milionë euro neto në vit.

Me këtë u shuan shpresat për ndonjë transferim të Gareth Balet në Kinë. Ai ishte pranë kalimit te Jiangsu Suning nga Real Madridi verën e kaluar.

Ky kufizim në paga nuk do të prekë ato kontrata ekzistuese. Mesfushori ofensiv i Shanghai SIPG, Oscar është një nga lojtarët më të paguar në botë. Ai merr nga 26 milionë euro në vit.

Por, do të godas lojtarët e huaj kur ata vendosin të rinovojnë kontratat, që nënkupton se largimi i tyre nga Kina është i paevitueshëm, pasi t’u skadojnë kontratat aktuale.

Në një shenjë se si ka rënë tregu i lojtarëve në Kinë, transferimi më i shtrenjtë gjatë dy muajve të fundit ishte ai i brazilianit Ricardo Lopes. Lopes kaloi te Shanghai SIPG nga Jeonbuk Motors për 5.46 milionë euro.

Kjo është shifra më e ulët e shpenzimeve për lojtarë në dimër në Kinë që nga viti 2011. Klubet kineze janë mbështetur kryesisht në transferime pa dëmshpërblim apo huazime.

Nëntë nga 16 klubet në ligë nuk kanë shpenzuar fare për lojtarë të rinj, përfshirë kampionin Guangzhou Evergrande, që drejtohet nga Fabio Cannavaro.

Derisa lojtarët e huaj po hezitojnë të kalojnë në Kinë për shkak të koronavirusit, edhe transferimet vendase janë ngadalësuar në mënyrë të konsiderueshme, për shkak të ndikimit në jetën e përditshme dhe vështirësive me të cilat po përballen klubet për një stinor, që nuk ka datë se kur do të nisë.

Spencer pret që tregu i lojtarëve të ngjallet, kur kriza shëndetësore të kalohet.

“Virusi sigurisht e bën të vështirë për klubet që të marrin lojtarë”, ka thënë Spencer.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme