Tifozët e futbollit anembanë botës tashmë janë të njohur me rutinën: sapo një klub fillon të ketë telashe, spekulimet për shkarkimin e trajnerit nisin të qarkullojnë. Trajneri ka shumë gjasa ta humbasë punën në një përpjekje për t’i ndryshuar gjërat në klub dhe për të nxitur një ndryshim sportiv.
Në të shumtën e rasteve, Bundesliga ka qenë pjesë e këtij trendi, me ekipet si Hamburgu, Koelni e Stuttgarti, që u bënë të njohura për ndërrimet e shpeshta të trajnerëve.
Por, këtë edicion, gjërat janë paksa më ndryshe. Vetëm në dy javët e fundit, tri klube që nuk po marrin rezultatet e dëshiruara kanë njoftuar se do t’i shkarkojnë drejtorët sportivë në vend të trajnerëve të tyre. Michael Reschke u shkarkua nga Stuttgarti për t’u zëvendësuar me Thomas Hitzlspergerin, derisa Andreas Bornemanni i Nuernbergut e pagoi çmimin pasi i doli në mbrojtje trajnerit të larguar Michael Koellner. Së fundi, kësaj liste i është bashkuar edhe drejtori sportiv i Schalkes, Christian Heidel, pasi klubi ditë më parë njoftoi se ai do të largohet nga posti i tij në fund të edicionit.
Këto lëvizje të klubeve kanë habitur të gjithë, pasi ende është gjysma e edicionit 2018/19. Për krahasim, tre drejtorë sportivë u zëvendësuan gjatë gjithë edicionit të shkuar.