Në fund të javës së kaluar u bë e ditur përfundimisht se takimi i Parisit nuk do të mbahet më 1 korrik të këtij viti, ashtu siç ishte caktuar qysh më 29 prill, në ditën kur ishte mbajtur Samiti i Berlinit, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Përkundrazi, takimi i Parisit, i cili pritej t’i bënte bashkë palën kosovare e atë serbe dhe konsiderohej si një tentativë për riaktivizim të dialogut, u shty për një afat të pacaktuar. Përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët përcjellin zhvillimet rreth procesit të negociatave, vlerësojnë se takimi i Parisit është shtyrë për tri arsye, si rezultat i mospajtimeve thelbësore mes Kosovës dhe Serbisë, mospajtimeve të theksuara përbrenda spektrit politik si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi dhe si rrjedhojë e mospajtimeve të dukshme mes shteteve anëtare të BE-së.
Ndaj, sipas tyre, për të ardhur deri te një riaktivizim i procesit nevojitet përkushtim i të gjitha palëve të përfshira në dialog. Në kuadër të kësaj vlerësohet se pala kosovare dhe ajo serbe duhet të arrijnë një marrëveshje rreth çështjes së taksës para se të rinisë procesi i negociatave. Në rast se nuk ka lëvizje nga qëndrimet aktuale të të dyja palëve, sipas njohësve të këtij procesi, nuk do të ketë rifillim të dialogut.
Deri më tani Qeveria e Kosovës po vazhdon të mos heqë dorë nga heqja e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe, ndërkohë pala serbe nuk po rresht së përsërituri se nuk ka dialog pa heqje të tarifës.