Kanë kaluar tri ditë dhe nuk është gjetur asnjë shenjë e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Malësor Dashi dhe Armend Trena, të cilët dyshohet se të shtunën rreth orës 21:00, derisa me veturën e tyre zyrtare po udhëtonin nga Hani i Elezit në Kaçanik, kanë rënë në lumin Lepenc, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Pas tri ditësh kërkime, ende nuk dihet asgjë për dy policët të cilët kanë përfunduar në lumin Lepenc të shtunën rreth orës 21:00. Malësor Dashi dhe Armend Trena, të cilët po udhëtonin me veturë zyrtare, nga shkaqe deri tani të panjohura kishin dalë nga rruga dhe kishin përfunduar në lumin Lepenc.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, ka thënë për “Zërin” se janë duke vazhduar kërkimin e dy trupave të pjesëtarëve të Policisë, por që ende nuk ka diçka konkrete në lidhje me ata.
Sipas tij, 170 pjesëtarë janë duke marrë pjesë në kërkime. Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka treguar se ditën e djeshme ka filluar rikërkimi i dy policëve nga fillimi.
Suma ka thënë se rruga prej së cilës dy policët kanë rënë në lum nuk është e mirë dhe ka pasur edhe lëvizje të tokës, mirëpo sipas tij, aksidenti mund të mos ketë ndodhur vetëm prej rrugës, shkruan më tutje “Zëri”.
Për dy pjesëtarët e Policisë kërkimet kanë filluar edhe në Maqedoni.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, ka deklaruar se shërbimet e Policisë kanë përcaktuar disa pika ku është menduar se mund të gjenden trupat e policëve, në të cilat edhe po bëhen kërkime.