Fatkeqësisht, sot, këtë formë të komunikimit publik të degraduar, të ftuarit publik e kanë bartur edhe në mediet tradicionale, e sidomos në debatet televizive, të cilat realisht bartin përgjegjësinë kryesore në krijimin e opinionit publik dhe që deri më sot, kanë prezantuar vlerat kryesore të shoqërisë. Mediet kredibile dhe profesionale, sot, duhet të punojnë në atë drejtim që të parandalojnë këtë formë të dekadencës, duke i vendosur vetës kritere të larta profesionale, etike dhe duke e minimizuar hapësirën për gjithë ata që në esencë nuk prezantojnë vlera të komunikimin në publik, nuk kanë komunikim të strukturuar dhe që përdorin gjuhë vulgarë dhe jo përmbajtjesore
Komunikimi publik në vendin tonë kohës së fundit ka degraduar, madje një komunikim i tillë nuk mbahet në mend me aq pak argumente e ide, e me aq pak përmbajtje e strukturë, por, me aq shumë fyerje e ofendime, denigrim, stereotipe, stigmatizim e gjuhë të urrejtjes. Nga legjislativi, tek rrjetet sociale, e nga viralet aty, e deri tek debatet televizive, sot, kemi shumë fjalime e diskutime me një gjuhë joformale, të pastrukturuar, të paargumentuar e me një kriter minimal të etikës së të folurit publik.
Madje sot, nuk mund të imagjinojmë që ta kalojmë një mbrëmje pa ndonjë skandal që prodhohet në komunikimin publik, e që më pas ky diskutim vazhdon në hapësirën ku participojnë të gjithë, atë të rrjeteve sociale.
Në mediet tradicionale dikur kishte një komunikim normal publik, por, zhvillimi i teknologjisë e bashkë me të edhe transformimi i medies e shkundi për rrënjësh këtë traditë, duke sjellë ndryshim të shpejtë dhe duke i zënë shoqëritë në tranzicion të papërgatitur në aspektin e komunikimit publik, e të pa përgatitur në aspektin e gjykimit kritik.
Para një dekade problemi më i madh në komunikimin publik ishte me komentet e lexuesve, që kishin mundësi dhe qasje të lirë për të shkruar në fund të çdo teksti. Aty, nisi edhe degradimi, linçimi e gjuha e urrejtjes, që në esencë ishte një paralajmërim për kohët që do të vinin. Kjo gjuhë dhe ky komunikim i paorganizuar, përdorej nga qytetarët e rëndomtë, të cilët në esencë nuk kishin peshë në sferën publike, nuk përfaqësonin institucione e nuk përfaqësonin kategori të ndryshme të shoqërisë. Ky komunikim që përvidhej në hapësira publike, zhvillohej kryesisht në fund të teksteve të gazetave online, të cilat të gjendura nën presion, shumica nga to filluan filtrimin e këtyre përmbajtjeve, ndërsa një pjesë e tyre mbyllën hapësirën për komentim. Më një fjalë këtij degradimi iu gjet përgjigja edhe pse ishte goxha autoritare në esencë.
Zhvillimi i rrjeteve sociale paraqet fazën e dytë të degradimit në komunikimin publik. Megjithatë, mediet tradicionale dhe ato me kredibilitet të lartë profesional dhe etik, qëndronin të palëkundura në parimet e tyre. Ndërkaq, e gjithë gjuha denigruese, linçuese, e urrejtjes, e personave privat e publik, mori hov në rrjetet sociale, aty ku nuk ekzistonin rregulla të lojës dhe aty ku diskutimi publik më nuk i takonte vetëm njerëzve që në esencë do të duhej të kishin përgjegjësi për fjalën e tyre publike. Edhe në këtë hapësirë publike u konfirmua mungesa e kulturës së debatit, mungesa e përgjegjësisë publike dhe mungesa e etikës së komunikimit. Jo rrallë herë diskutimet e zhvilluara në rrjetet sociale dhe komunikimi desturktiv, përcaktuan edhe komunikim publik të fazës së ardhshme. Ky komunikim i cili zhvillohet paralel më zhvillimet dhe debatet që e përcjellin shoqërinë, sjellë në mënyrë të vazhdueshme edhe diskutimet që paraqesin probleme serioze dhe dëmtim të lirisë së shprehjes dhe demokracisë.
Fatkeqësisht, sot, këtë formë të komunikimit publik të degraduar, të ftuarit publik e kanë bartur edhe në mediet tradicionale, e sidomos në debatet televizive, të cilat realisht bartin përgjegjësinë kryesore në krijimin e opinionit publik dhe që deri më sot, kanë prezantuar vlerat kryesore të shoqërisë. Mediet kredibile dhe profesionale, sot, duhet të punojnë në atë drejtim që të parandalojnë këtë formë të dekadencës, duke i vendosur vetës kritere të larta profesionale, etike dhe duke e minimizuar hapësirën për gjithë ata që në esencë nuk prezantojnë vlera të komunikimin në publik, nuk kanë komunikim të strukturuar dhe që përdorin gjuhë vulgare dhe jo përmbajtësore.
Kjo lloj diskrepance në komunikimin publik, sot ka prodhuar polarizim në shoqëri, mungesë të konkurrencës së ideve, koncepteve përmbajtësore, por edhe shkelje të standardeve të komunikimit dhe vlerave etike.
Një pjesë e madhe e këtyre pjesëmarrësve në debatet publike, diskutimet e tyre nuk orientojnë në interes të publikut, por, realisht janë aty për të mbrojtur qëndrime politike, parapolitike apo të grupeve të interesit.
Sot, diskutimet publike duke filluar nga Kuvendi i Kosovës e tutje, nuk prezantojnë përmbajtje, nuk paraqesin ide, nuk trajtojnë probleme konkret, por, i gjithë diskutimi mendohet dhe organizohet për klikim dhe shpërndarje virale, duke i ikur përdorimit të një gjuhe formale të mbështetur në ballafaqim të ideve dhe një etike të lartë të komunikimit publik.
(Autori është profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”)