Publikohen intervistat e shkrimtarit Dritëro Agolli, ku rrëfen për shokun grek që u strehua në shtëpinë e tij, marrëdhëniet me vendin fqinjë dhe dëshirën dhe aspiratën për të parë Kosovën të lirë. Si “gjykatës” së veprave të tij ai konsideron vetëm kohën
Një intervistë e kërkuar nga një revistë letrare greke në vitin 2002, ku tregon se ato që na bashkojnë me fqinjët tanë janë më të shumta sesa ato çfarë do të mund të na ndanin.
Një rrëfim i çlirët nga Dritëro Agolli, mbi fëmijërinë e tij, mbi jetën e veprat letrare, mbi poetët e miqtë e tij nga Greqia e Lashtë dhe gjithherë magjepsëse.
Dritëro Agolli
Fshati Menkulas, ku linda dhe kalova fëmijërinë dhe rininë e hershme, është në breg të lumit Devoll dhe shtrihet gjysmë ore më këmbë larg kufirit me Greqinë. Ne, djemtë e fshatit, shkonim për t’i kullotur lopët apo dhentë në kodrat e fshatit, përtej lumit, të cilat kishin dhe kanë një emër sllav: Poçrova.
Në këto kodra, që gjysmat ishin të fshatit tonë dhe gjysmat, matanë kufirit, lopët, lopët që kullosnim ne djemtë e Menkulasit, përziheshin me lopët që kullosnin djemtë e fshatrave greke. Dhe ne bashkoheshim: lopë dhe djem. Duke u bashkuar ua dinim emrin njëri-tjetrin: Pavllos, Markos, Spiros, Andonis, Kristos, Juniz e me radhë. Nuk rriheshim dhe nuk vriteshim. As nuk e dinim se çfarë ishim. Dinim se ishim njerëz që flisnim gjuhë të ndryshme. Ata thoshin, kur na takonin: -Jasu! Ne thoshim: -Njatjeta! Pastaj erdhën kohë të vështira. Ne nuk i nxirrnim lopët për t’i kullotur në Poçrava, në kufi. As djemtë e fshatrave grekë nuk i nxirrnin. Kishte filluar Lufta Italo-Greke. Në Poçrovë vërshëllenin dhe pëlcisnin gjylat e topave italianë dhe grekë. Atëherë në shtëpinë tonë erdhi një miku i tim eti, që e quanin Thomas, dhe që im atë i thoshte, Qirio Thomas. Ky Qirio Thomas kishte “ardhur” edhe më parë tek ne në shtëpi, se e kishim mik. Ai i binte violinës dhe im atë e merrte edhe në dasma dhe në festa. Por ishte luftë. Erdhi me të birin e tij Pavlin, që ishte nëntë vjeç, sa ç’isha edhe unë. Qirio Thomas i tha tim eti, me djalin Pavllon e vogël për dore: -Qirio Riza (Riza e kishte emrin im atë, Qirio Riza, mbaje në shtëpi Pavllon, se unë do të shkoj në luftë dhe nuk dihet se si do të ecë puna ime! -Lëre, Qirio Thomas! Pavllon do ta kemi si djalin tim! – tha im atë.
Dhe Pavllua qëndroi në shtëpinë tonë disa vjet. Flinim bashkë në një dhomë, hanim bashkë në një sofër dhe qeshnim e qanim bashkë. Ai mësoi shqip prej meje dhe unë mësova greqisht prej tij. E tillë ka qenë jeta e ballkanasve, bashkë i kanë ndarë gëzimet dhe bashkë hidhërimet. Kur në njërën shtëpi është bërë dasmë dhe i kanë rënë gërnetës, edhe në shtëpinë tjetër është dëgjuar kjo gërnetë. Kur është djegur njëra shtëpi, edhe tjetra është djegur. Kështu, filloi Lufta e Dytë Botërore. Poçrova u mbush me luftëtarë antifashistë shqiptarë dhe grekë. Unë e Pavllua më 1943 e 1944 ishim 12 e 13-vjeçarë dhe ishim korrierë partizanë! Në Operacionin e Qershorit të 1944 të nazistëve fshati im Menkulasi u dogj dhe ne shkuam matanë Poçrovës, në Greqi, atje në fshatin Revan, ku kishte shumë shqiptarë.
Më vonë, kur filluan sulmin gjermanët nga ajo anë, grekrit erdhën nga fshatrat tona. Vërtet, bashkë i kemi mbjellë pemët dhe bashkë i kemi ruajtur nga thatësira dhe ngrica. Edhe poezinë bashkë e kemi bërë. Naim Frashëri kur mësonte në shkollën Zosimea të Janinës pat shkruar në gjuhën greke poemën e famshme “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, ku dëshiron që grekë e shqiptarë të jetojnë si vëllezër. Po edhe gjysmë shekulli më vonë pas Naimit në Zosimea të Janinës, erdhi në Korçë një poet grek, si konsull, si nëpunës diplomatik. Por ky nëpunës, edhe vetë nuk e dinte se do të bëhej një nga poetët më të mëdhenj të Greqisë dhe më 1963 do të merrte çmimin “Nobel”. As unë, as Pavllua më 1940, nuk e dinim që Seferis, si konsull i ambasadës greke në Korçë, më 1937 shkruante: …(Bëhet fjalë për një poezi të shkrimtarit grek George Seferis të shkruar në Korçë)
Mua fati më ka sjellë jo vetëm të lexoj edhe të përkthej shumë poetë e prozatorë grekë, por edhe të njoh disa prej tyre, madje t’i kem edhe misi, si Samarakis Antonis, që i kam shkruar edhe parathënien e romanit të tij “Gabimi”, përkthyer në shqip. Kam njohur poeten e famshme, miken e vendit tonë Rita Bumi Paba bashkë me të shoqin e saj, Nikon. Por kam njohur edhe poetin dhe publicistin simpatik të Janinës, Llambros Mallamas. Mos themi pastaj që kam takuar edhe pritur artistin dhe kompozitorin e madh, Theodorakis. Kam njohur edhe poetin dhe skenaristin e filmave Asimogopoulas, që kishte një fytyrë si të gdhendur në gurë. Nuk mund ta harroj as piktorin e njohur grek, burrin e mençur Dhimitër Jolldashi, që duke më dhuruar një album të veprave të tij ka shkruar një autograf. Dhimitër Jolldashi ka ardhur në Tiranë edhe më 1980 edhe është shoqëruar nga Odhise Paskali. Edhe atëherë më të dhënë një libër të tij me autograf. Por mua më ka mbetur në mendje, ai Pavllua, shoku i fëmijërisë, djali i Qirio Thomait, mikut të tim eti, për të cilin kam shkruar një tregim që është botuar në greqi në librin tim. Tregimi mban emrin e librit. Madje edhe libri fillon me këtë tregim. Unë po jap vetëm hyrjen e këtij tregimi që është përkthyer jo vetëm në greqisht, por edhe në frëngjisht edhe në gjuhë të tjera: ….. Ja, kështu janë punët edhe hallet tona, të mirat edhe të ligat bashkë.
(Tiranë, 11 qershor 2002. Për një revistë greke!)
Dy tregime nga Agolli (1988-1990)
Nga shënimet e Dritëroit ,( 1988-1990) ngjarje në kohën e komunizmit, të shkruara ashtu siç ndodhnin, të dëgjuara, të jetuara apo të rrëfyera nga miq e shokë dhe të ruajtura në dosje mes shumë e shumë blloqeve të vogla shënimesh. Për ata që nuk e kanë jetuar atë sistem apo e njohin përmes rrëfimeve të të afërmve, shumë ngjarje të asaj kohe përjetohen si mjaft të çuditshme .
Pula e detit
Ishte e ndaluar të mbaje në fshat pula e gjela deti. Njëri e mbante fshehurazi. E mori vesh kryetari i këshillit dhe shkoi me nja dy-tre veta për t’ia hequr. –Është klloçkë. Është mbi vezë!, tha i zoti i shtëpisë. –There, s’duhet ta mbash sonte.Donte s’donte e theri në sy të tyre dhe e hodhi, pasi klloçka nuk hahet. (Gegë Gjoka, Troshan, Lezhë)
Çezma
Një skulptor amator, një mjeshtër fshatar, në Lozhan mendoi të bëjë në çezmën e fshatit një lloj skulpture, një kokë kafshe, nga goja e së cilës dilte ujë. E bëri. Vjen shefi i kulturës nga Korça. E vështron çezmën:- Me ç’leje e kini bërë këtë skulpturë? E dini se kjo punë ka nomenklaturë? E detyroi fshatin ta thyente kokën e kafshës dhe ta prishte çezmën, duke e lënë siç kishte qenë më parë!
Agolli në vitin 2000: Ne kemi krizë burrash shteti
Një intervistë e Dritëro Agollit e shkruar për “Zërin e Kosovës” në 22 dhjetor të vitit 2000, ku ai shpreh dëshirën dhe besimin se Kosova do të arrijë lirinë e plotë. Në këto rreshta, botuar në Facebook nga e bija Elona Agolli, shkrimtari flet gjithashtu për krizën e kombit tonë për udhëheqës. “Krizë burrash shteti”. Ai shprehet gjithashtu se e ardhmja e kombit përveçse njerëzve të ditur ka nevojë edhe për njerëz kurajozë, për të përballuar rreziqet.
Shqipëria dhe shqiptarët po kalojnë nëpër një periudhë të gjatë tranzicioni, lodhëse dhe rraskapitëse. Në periudha të tilla të mbushura plot ankth dalin sipër shoqërisë shumë lapanjozë dhe batakçinj që drejtojnë makinerinë kolosale të prodhimit të gjerë të degjenerimit, të krimit, të prostitucionit, të korrupsionit dhe të injorancës. Të gjitha këto ngjallin frikë dhe pesimizëm. Megjithatë jeta e individit, kolektivit dhe kombit është krijim, e mbushur me gjëra të reja paçka se kalon përmes rrezikut dhe ankthit. Individi apo kombi, që kërkon të ndërtojë diçka të re, duhet të dijë t’i përballojë këto rreziqe, ankthe dhe pesimizma. Dhe këto, siç thotë një sociolog, nuk përballohen vetëm me diturinë dhe inteligjencën, po edhe me kurajën. Dituria dhe inteligjenca, kur bashkohen me kurajën bëhen të pathyeshme në luftën e asaj të reje që duam të ndërtojmë. Dhe shqiptarët mendoj se i kanë këto tri dhunti, që i duhen realizimit të projektit të së resë. Puna është të gjenden ata arkitektë dhe kryearkitektë, që t’i organizojnë këto tri dhunti: diturinë, inteligjencën dhe kurajën, në një fjalë, të dalin udhëheqës shteti jo vetëm të ditur, të zotët dhe kurajozë po edhe organizatorë, largpamës dhe atdhetarë idealistë. Ta themi me guxim të vërtetën: ne kemi krizë udhëheqësish, krizë burrash shteti, krizë arkitektësh qeverish mendjendritur si rilindasit për një Rilindje të Re. Nëse vijnë të gjitha këto që thashë, edhe kultura, gjuha dhe tërë pasuria shpirtërore do të marrin një shkëlqim të ri dhe do të lindë qytetërimi i vërtetë për mbarë shqiptarët. Unë i lutem Natës që ndërron shekujt që, duke ikur, të ftojë ditët dhe vitet e qytetërimit tërësor të Shqipërisë, që Drini, ky lumë i bekuar të kalojë vërtetë “mespërmes Shqipërisë” dhe të sjellë vetëm ujë të kristaltë pa asnjë pikë gjaku. Dua të le edhe emër të mirë, të ruaj miqtë dhe shokët. Jam krejtësisht i bindur se shekulli pa u bërë burrë dhe pa u plakur, domethënë, që në moshë fare të re do ta shohë Kosovën me lirinë e plotë të saj. Madje unë vesoj se ky shekull që fëmijë do të luajë valle me lirinë e Kosovës. Shekulli i ri do t’i thotë të atit që shkoi: -Or atë, e pashë lirinë e plotë të Kosovës; e pashë atë që ti pe përgjysmë!
Dituria dhe inteligjenca, kur bashkohen me kurajën bëhen të pathyeshme në luftën e asaj të reje që duam të ndërtojmë
Agolli në vitin 2000: Seleksionimi i veprave të totalitarizmit, një tjetër skematizëm
Në një intervistë të vitit 2000, shkrimtari Dritëro Agolli flet për letërsinë në kohën e diktaturës komuniste. Në këtë artikull, Agolli thekson se gjykatësi më i mirë për letërsinë e tij të krijuar në atë periudhë mund të jetë vetëm koha.
Me gjithë kushtet e vështira që krijoi totalitarizmi u zhvillua një letërsi shumë e madhe, një letërsi e fuqishme që nuk ishte krijuar më parë. Së pari u plotësuan të gjitha ciklet e gjinive. Dikur para 60 vjetësh në kohën e monarkisë romani s’ishte zhvilluar fare. Në këto vite u krijua romani ynë si romani evropian dhe dëshmi për këtë është botimi i letërsisë shqipe jashtë shtetit. Përshembull, ¾ e veprës së Kadaresë filloi të botohej jashtë, po kështu edhe veprat e mia apo të të tjerëve. E pra kjo krijimtari e kësaj periudhe u bë pronë e të tjerëve, por edhe sikur kjo të mos ndodhte kjo letërsi nuk mund të mohohet. Ka pasur skarcitete, ka pasur vepra skematike, por këto vepra edhe sikur të mos vinte demokracia ishin gati të harruara sepse nuk i lexonte njeri. Koha për mua është gjykatësi më i mirë, askush tjetër s’ka të drejtë të gjykojë. Përshembull po të ngrihet një kritik të bëjë seleksionimin e veprave të kësaj periudhe, natyrisht unë do t’i them “kush je ti?”, biles për mua kritikët shqiptarë janë fajtorët më të mëdhenj që është orientuar një letërsi e tillë, ndaj me të drejtë them që koha është seleksionuesi më i madh dhe me kalimin e kohës ju e keni parë se si gjërat humbasin apo fitojnë vlerën e vërtetë të tyre. Dua të them edhe diçka tjetër, të rrish me laps në dorë për të seleksionuar do të thotë të kalosh në një skematizëm tjetër, pra të përsërisësh kohën e Realizmit Socialist kur seleksionoheshin veprat e të tjerëve që nuk publikoheshin. Nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë, pra që të mos lejohet publikimi i veprave të filanit sepse ka qenë komunist, ne s’bëjmë gjë tjetër, veçse përsërisim atë kohë. Letërsia është pasqyrë e jetës e epokave dhe nuk pyet se çfarë pikëpamjesh ka shkrimtari. Kështu përshembull, Balzaku ishte ruajalist, por kjo s’do të thotë që ai të mos përshkruante revolucionin borgjez. Pastaj ne ngatërrojmë metodën e realizmit socialist me letërsinë socialiste që është krijuar. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Të gjitha ato vepra që janë shkruar sipas metodës së Realizmit Socialist nuk bëjnë si në atë kohë ashtu edhe sot.