Qeveria e Kosovës kishte ndarë 60 milionë euro për bizneset në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes në tetor të vitit 2020.
Listën e plotë të përfituesve të kësaj ndihme e ka publikuar ministri i ri, Hekuran Murati, e cila përmban 50 biznese, shkruan “Jepi zë”.
“50 bizneset që përfituan më së shumti nga Pako e Rimëkëmbjes prej 60 milionë euro shpërndarë nga Qeveria e kaluar, në tetor të vitit 2020. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në frymën e transparencës, po ashtu edhe në zbatim të marrëveshjes financiare ndërkombëtare me Bashkimin Evropian të nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend, publikon listën e 50 bizneseve që përfituan më së shumti nga pako prej 60 milionë eurove, e shpërndarë nga Qeveria e kaluar në tetor të vitit 2020”, ka thënë ministri.
Tri marketet më të mëdha në Kosovë kanë përfituar 1,871,482 euro .
Kompania që ka përfituar më së shumti është Viva Fresh, e cila ka të deklaruar 2967 punëtorë. Kjo kompani ka përfituar nga shteti 860 mijë e 615 euro për 1 muaj.
Pas saj vije ELKOS që njihet me rrjetin e marketeve ETC, e cila ka 2330 punëtorë. Kjo kompani ka përfituar 675 mijë e 845 euro.
E treta në këtë listë është kompania Proex që njihet me rrjetin e markeve INTEREX, e cila ka 1155 punëtorë. Proex ka përfituar 335 mijë e 22 euro.