Tribunali i Kombeve të Bashkuara pritet të dalë me një vendim lidhur me ndalimin e dhjetëra marinarëve ukrainas nga Rusia si dhe sekuestrimin e tre anijeve ukrainase në afërsi të Krimesë vitin e kaluar.
Vendimi që pritet të publikohet sot nga Tribunali Ndërkombëtar për Ligjin mbi Detin nuk pritet që përfundimisht t’i jap përgjigje çështjes së lejimit që anijet ukrainase të kalojnë në Detin Azov, ku qasjen në këtë det, Rusia e ka kufizuar që nga ndërtimi i një ure mbi Ngushticën Kërç.
Por, Ukraina shpreson se një fitore eventuale do t’i lejojë asaj të ketë një peshë ligjore që të luftojë kundër Rusisë, e cila ka bojkotuar procedurat e këtij Tribunali, duke thënë se ky institucion nuk ka juridiksion për këtë çështje.
Rusia kishte kapur anijet ukrainase në nëntorin e vitit të kaluar, në afërsi të urës në Ngushticën Kërç, që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë. Moska e ka aneksuar këtë Gadishull nga Ukraina më 2014.
Ukraina ka hedhur poshtë akuzat e Moskës se anijet e saj kanë hyrë në ujërat ruse në mënyrë të paligjshme.
Bashkimi Evropian, NATO dhe trupa të tjerë ndërkombëtarë i kanë bërë thirrje Moskës që të lirojë anijet dhe marinarët e arrestuar.