Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkruar në një postim në Twitter se zgjedhjet presidenciale të këtij viti do të jenë “skandali më i madh i kohërave tona”, derisa sondazhet po tregojnë rënien e popullaritetit të tij kundrejt rivalit demokrat Joe Biden, raportoi The Independent të hënën.
Presidenti i SHBA-s shkroi të hënën se “shtetet e huaja dhe të tjerët do të printojnë vota dhe do t’i dërgojnë me postë për t’i manipuluar zgjedhjet e nëntorit në SHBA”.
“Zgjedhjet e manipuluara të vitit 2020: me miliona vota do të printohen dhe do të dërgohen nga shtete të huaja”, shkroi ai. “Do të jetë skandali më i madhi kohërave tona”.
Këto komente vijnë një javë pasi që një sondazh i Fox News tregoi se Bideni po udhëhiqte ndaj presidentit për 12 për qind.
Sondazhi, i cili u mbajt nga 13 deri 16 qershor dhe i cili u publikua të enjten e kaluar, tregoi se presidenti Trump po ngec prapa Bidenit me një diferencë të paparë deri tash, transmeton KOHA.
Afro 50 për qind e të anketuarve do të përkrahin demokratët në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, krahasuar me 38 për qind të cilët planifikojnë të votojnë për republikanët.
Presidenti, i cili u përqesh pasi në tubimin parazgjedhor të mbajtur të shtunën në Tulsa u paraqitën shumë pak njerëz, tha se “votat me anë të postës u hapin dyert vërshimit të mashtrimeve”.