Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të martën se takimi i tij i radhës me liderin verikorean, Kim Jong Un do të ndodhë se dhe zyrtarët janë duke punuar në çështje organizative, transmeton Reuters.
Duke folur në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, pasi ka njoftuar për dorëheqjen e ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, Trump ka thënë se Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka pasur takim fantastik me Kimin dhe se aktualisht është duke u diskutuar për tri apo katër lokacione se ku mund të takohen të dy liderët.
Pompeo ka përshëndetuar të hënën “zhvillimin e madh” në bisedimet me Kimin gjatë vikendit dhe ka thënë se të dyja palët janë shumë afër pajtimit për takimin e dytë Trump-Kim.
Të dy liderët kanë zhvilluar një takim të pashembullt më 12 qershor të këtij viti në Singapor.
Pompeo u ka thënë gazetarëve se Kim është gati për të lejuar vëzhguesit ndërkombëtarë në zonën e testimeve bërthamore, në momentin që Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Veriore pajtohen në aspektin e logjistikës.