Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Bashkimi Evropian bën tregti “shumë të padrejtë” me Shtetet e Bashkuara dhe ka paralajmëruar “se mund të shndërrohet në diçka shumë të madhe”.
Komentet e Trumpit kanë ardhur pas publikimit të intervistimit të tij nga Piers Morgan, që është realizuar më herët, mirëpo është publikuar dje, transmeton Klan Kosova.
“Bashkimi Evropian e ka trajtuar SHBA-në në mënyrë shumë të padrejtë kur është puna te tregtia”, ka thënë presidenti amerikan.
“Ne nuk mund të vendosim produktet tona brenda. Është shumë shumë e vështirë. Derisa ata dërgojnë produkte te ne, pa taksa, apo shumë pak taksa”, ka thënë ai.
Trump thënë se Bashkimi Evropian nuk ka qenë i padrejtë vetëm në tregti, “mirëpo e gjithë BE-ja ka qenë e tillë ndaj SHBA-së. Dhe mendoj se kjo do të jetë në dëm të madh të tyre”.
Trump po ashtu ka thënë se do të ketë qëndrim më të “ashpër” përballë negociatave për Brexit.
“A do të ishte kjo mënyra se si do të negocioja? Jo, nuk do të negocioja në këtë mënyrë, do të kisha një qasje tjetër”, ka thënë ai.
Kryeministrja britanike, Theresa May është e përfshirë negociatat e komplikuara me BE-në, në kuadër të planifikimeve që deri në mars të vitit 2019, Britania të largohet nga Bashkimi Evropian.