Trump flet në Davos: Europa nuk po shkon në drejtimin e duhur

Prishtinë | 21 Jan 2026 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se Europa “nuk po shkon në drejtimin e duhur”, duke shprehur shqetësim për zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në kontinent. Në fjalën e tij, Trump tha se “nuk e njeh më Europën”, megjithëse theksoi se ka një lidhje të fortë emocionale me të.

“E dua Europën dhe dua ta shoh të ecë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk dëshiron të fyejë askënd. Sipas Trump, miq të tij që kthehen nga vendet europiane i thonë se nuk i njohin më ato, për shkak të migracionit masiv të pakontrolluar, si dhe deficitit rekord buxhetor dhe tregtar, thotë ai.

Presidenti amerikan foli edhe për sfida globale, duke deklaruar se “pjesë të botës po shkatërrohen para syve tanë, ndërsa liderët nuk po bëjnë asgjë”. Ai nuk dha detaje konkrete, por mbrojti politikat e tij ekonomike, duke thënë se parashikimet për recesion dhe inflacion të lartë janë hedhur poshtë nga rezultatet reale.

Trump e hapi fjalimin në Davos me tone ironike, duke përshëndetur “miq dhe pak armiq”, ndërsa kërcënimet e tij për Grenlandën mbeten një nga temat kryesore të forumit. /A2 Televizion

Të ngjashme