Trump hedh poshtë propozimin iranian: Nuk do ta heqim bllokadën detare pa marrëveshje bërthamore

Prishtinë | 29 Pri 2026 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi se do të ruhet bllokada detare ndaj Iranit deri në arritjen e një marrëveshjeje për programin e tij bërthamor, në deklaratat e tij për rrjetin televiziv izraelit Channel 12.

Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin masat kufizuese ndaj Teheranit, duke vlerësuar se bllokada detare është një mjet më efektiv presioni sesa sulmet ushtarake.

“Është më efektive se bombardimet”, u shpreh ai, duke shtuar se ekonomia iraniane “po mbytet”.

Ai shtoi gjithashtu se Teherani po kërkon me urgjencë arritjen e një marrëveshjeje për të hequr bllokadën, ndërsa paralajmëroi për pasoja serioze në sektorin energjetik të vendit.

Sipas tij, infrastruktura energjetike e Iranit mund të “shembet së shpejti” nëse eksporti i naftës mbetet i bllokuar.

Sipas rrjetit izraelit, deklaratat e presidentit amerikan përbëjnë një refuzim të propozimit iranian të paraqitur më herët gjatë kësaj jave në SHBA, i cili parashikonte arritjen fillimisht të një marrëveshjeje për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare, duke shtyrë ndërkohë bisedimet për çështjen bërthamore për një fazë të mëvonshme. /Panorama

Të ngjashme