Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se mosmarrëveshja e tij me Iranin do të jetë çështja kryesore në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Trump do t’i drejtohet sot këtij tubimi.
“Shumë gjëra po ndodhin në lidhje me Iranin, shumë më tepër sesa dini ju, shumë më tepër sesa dinë mediat”, u tha Trump gazetarëve në Nju Jork.
Trump, prejse ka marrë detyrën në janar të vitit 2017, ka marrë një qëndrim të ashpër ndaj Iranit.
Në maj të vitit 2018, ai është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore, që Irani e ka nënshkuar me fuqitë botërore, dhe ka rikthyer sanksione të ashpra mbi ekonominë iraniane.
Ai po ashtu ka fajësuar Iranin për sulmet e 14 shtatorit në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite, duke thënë se të gjitha opsionet mbeten në tavolinë për t’iu përgjigjur përfshirjes së dyshuar të Teheranit.
Ky i fundit e ka mohuar përgjegjësinë.
Ka pasur spekulime në rritje për një takim të mundshëm të Trumpit me presidentin e Iranit, Hassan Rohani, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, por Trump tha të hënën se asgjë nuk është planifikuar.
Trump po ashtu tha se do t’i thotë Asamblesë se “Shtetet e Bashkuara janë vendi më i madh në botë – kurrë nuk kanë qenë më të fuqishme, kurrë nuk kanë qenë më mirë”.