Trump i fal dënimin ish-kongresistit republikan, lirohet nga burgu

Prishtinë | 18 Tet 2025 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ka nënshkruar një urdhër për lirimin e menjëhershëm nga burgu të ish-kongresmenit republikan George Santos, i cili ishte dënuar për mashtrim elektronik dhe vjedhje identiteti.

Santos, 37-vjeçar, kishte filluar të vuajë dënimin prej shtatë vjetësh në një burg federal, por ishte në qeli vetëm për më pak se tre muaj para se të lirohej nga presidenti Trump. Sipas avokatit të tij, Joe Murray, Santos u lirua të premten në mbrëmje dhe u prit nga familja.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump e përshkroi Santosin si një person me “guxim, bindje dhe inteligjencë” që gjithmonë ka votuar për republikanët. Ai falenderoi ish-kongresmenin për angazhimin e tij politik dhe mbështetjen ndaj partisë republikane, raporton CNN.

George Santos ishte dënuar në prill pasi pranoi se kishte mashtruar donatorët e fushatës së tij duke përdorur identitetet e të tjerëve, përfshirë anëtarë të familjes, për të siguruar fonde për fushatën elektorale.

Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Distriktin Lindor të New Yorkut, që kishte ndjekur penalisht Santosin, nuk ka komentuar për lirimin e tij nga burgu.

Të ngjashme