Trump ia ndalon kthimin në SHBA një gruaje që iu bashkua IS-it

Prishtinë | 21 Shk 2019 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara njoftuan se nuk do t’ia lejojnë një gruaje që iu bashkua grupit militant Shteti Islamik në Siri, të kthehet në Shtetet e Bashkuara, pasi ajo nuk ka shtetësi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se gruaja e quajtur, Hoda Muthana, e cila gjendet aktualisht në një kamp të Sirisë me djalin e saj të mitur, nuk ka kërkesë ligjore për shtetësi amerikane.

“Ajo nuk ka asnjë bazë ligjore, as pasaportë të vlefshme amerikane, nuk ka të drejtë për pasaportë dhe as vizë për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara”, tha Pompeo, pa dhënë detaje pse 24 vjeçarja nuk ka shtetësi.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ka dhënë urdhër të mos lejohet kthimi i saj në Shtetet e Bashkuara.

“E udhëzova sekretarin Mike Pompeo, dhe ai u pajtua plotësisht, të mos lejojë Hoda Muthana të kthehet në SHBA”, shkroi presidenti Trump në Twitter.

Avokati i saj, Hassan Shibly, po insiston se gruaja e lindur në Shtetet e Bashkuara, ka jetuar në Alabama, dhe ka pasur pasaportë të vlefshme para se t’i bashkohet IS-it më 2014. Ai pretendon se ajo ka hequr dorë nga grupi militant dhe dëshiron të kthehet në shtëpi për të mbrojtur fëmiun e saj pavarësisht pasojave ligjore.

Babai i Muthanas ka qenë një diplomat nga Jemeni, dhe fëmijëve të diplomatëve nuk iu garantohet me automatizëm shtetësia.

Megjithatë avokati Shibly tha se babai i saj nuk ka qenë diplomat shumë më përpara lindjes së saj.

“Ajo është një amerikane. Kur njerëzit e shkelin ligjin, ne kemi një sistem ligjor për të trajtuar ato lloj situatash për t’i mbajtur njerëzit të përgjegjshëm dhe kjo është gjithçka që ajo kërkon”, tha avokati Shibly.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme