Presidenti Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin veprime tregtare ndaj vendeve që nuk kontribuojnë sa duhet për NATO-n.
Presidenti Trump, i sapo kthyer nga udhëtimi në Londër për samitin e NATO-s, po u bën trysni vendeve anëtare që të kontribuojnë më shumë financiarisht për aleancën. Ai tha se shumë vende po i afrohen objektivit të shpenzimeve prej dy përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për sa i përket kontributit për NATO-n.
“Shumë vende janë afër dhe po afrohen. Disa nuk janë shumë afër, dhe ne mund të ndërmarrim gjëra që kanë të bëjnë me tregtinë. Nuk është e drejtë që ata të kenë mbrojtjen amerikane dhe të mos paguajnë,” tha ai.
Presidenti Trump dhe udhëheqësi francez Emmanuel Macron debatuan ashpër rreth të ardhmes së NATO-s në prag samitit që u mblodh për të shënuar 70 vjetorin e aleancës ushtarake perëndimore. Në shkëmbimet e mprehta mes tyre, Presidenti Trump kërkoi që Evropa të paguajë më shumë për mbrojtjen e saj kolektive dhe të bëjë lëshime në favor të interesave tregtare amerikane.
Ndërkaq, ai foli me optimizëm për aleancën dhe tha se takimet e tij gjatë samitit shkuan mirë dhe se “NATO-ja është në formë shumë, shumë të mirë.” Edhe marrëdhëniet me vendet e tjera janë “vërtet të jashtëzakonshme,” tha Presidenti Trump në komentet që bëri të enjten.