Presidenti amerikan, Donald Trump, në vazhdën e komunikimeve të tij përmes mediave sociale ka bërë edhe një postim që ka të bëjë me marrëdhëniet me Iranin.
Në një postim të radhës, presidenti amerikan ka komentuar vendimin e Teheranit rreth tërheqjes nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.
“IRANI KURRË NUK DO TË KETË ARMË BËRTHAMORE!”, ka shkruar Trump në rrjetet sociale.
Reagimi i Iranit kishte ardhur pasi që presidenti Trump kishte autorizuar një sulm, përmes të cilit ishte vrarë gjenerali iranian, Qassem Soleimani.
Soleimani, arkitekti i operacioneve klandestine dhe ushtarake të Teheranit, si shef i forcave të Qudsit të Gardës Revolucionare, u vra të premten në një sulm me dronë amerikanë derisa gjendej në një kolonë në aeroportin e Bagdadit.
Si përgjigje, autoritetet iraniane thuhet se kanë bërë të ditur se do të ofrojnë një shpërblim prej 80 milionë dollarësh për kokën e presidentit amerikan Donald Trump, pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani.
Sipas mediave, një “ofertë e tillë” është bërë gjatë transmetimit televiziv të funeralit nga transmetuesit zyrtarë shtetërorë.
Gjithashtu, vrasja e gjeneralit iranian ka ndikuar që një vendim të merret edhe nga Parlamenti i Irakut, i cili ka nxjerrë një rezolutë me të cilën kërkohet largimi i trupave amerikane nga vendi. /Telegrafi/